Suspendime për kurdisje

Federata e Futbollit e Zimbabvesë (ZIFA) ka suspenduar 80 futbollistë, në mesin e tyre yje të ekipit kombëtar, pas dyshimeve për përfshirjen e tyre në skandalin e kurdisjes së ndeshjeve me disa rrjete të bastoreve në Azi, kanë njoftuar mediet shtetërore të mërkurën.
ZIFA ka formuar një komitet të pavarur etik për të hetuar kurdisjet e ndeshjeve që ajo beson se ndodhën në përballjet e ekipit kombëtar në Malajzi, Vietman dhe Tailandë më 2007.
“Secili futbollist, i cili është përmendur në raport, pavarësisht se sa ndeshje ka luajtur, është i suspenduar dhe do të lirohet vetëm nga komiteti etik”, ka thënë drejtori ekzekutiv i ZIFA-së, Jonathan Mashingaizde, për të përditshmen Herald.
“Tani për tani, ata nuk janë në dispozicion për asnjë detyrë ndërkombëtare”, shtoi ai. Suspendimi i futbollistëve do të ndikojë në përpjekjet e Zimbabvesë për kualifikim në Kupën e Afrikës 2013. Fushata kualifikuese fillon këtë muaj. Zimbabve do të takohet me Burundin më 29 shkurt në ndeshjen e parë kualifikuese.
Në mesin e yjeve që nuk do të jenë në dispozicion për Zimbabvenë janë mesfushori i Al Hilalit, Edward Sabomba, mbrojtësi i Sundowns, Method Mwanjali dhe sulmuesit Nyasha Mushekwi, Ovidy Karuru, Zhaimu Jambo, Washington Arubi, Daniel Vheremu, Khama Billiat, Gilbert Mapemba, Willard Katsande e Thomas Sweswe.
Përveç suspendimit të tyre nga ekipi kombëtar, futbollistët e lartpërmendur dhe të tjerë të pezulluar mund të përballen me sanksione më të ashpra, përfshirë dënimin e përhershëm nga të gjitha aktivitetet e futbollit, edhe në shkallën e klubeve, kanë paralajmëruar zyrtarë të ZIFA-së.