E Diel, 1 Nëntor 2026

Suzana, kërcimtarja që fitoi zemrën e ushtarëve vietnamezë

Autori i Lajmit: Fatiola Kurteshi
Shqiptarja që “çmendi” drejtuesin komunist, Chuin Lain

Sot, ajo është një grua 60-vjeçare, që në pamje të parë s ka ndonjë ndryshim të madh, nga brezi i saj. Por, brenda kësaj gruaje fshihen histori të mrekullueshme të jetuara në kohë lufte.
Ajo dikur ishte një vajzë e vogël, që fitoi zemrën e ushtarëve kinezë e vietnamezë. E rritur me pasionin e artit, Suzana Kryekurti tregon për “Ballkan” historinë e saj të veçantë që çdo artist në botë do ta kishte dëshiruar. Ishte vetëm 13 vjeç, kur vendosi firmën për të shkuar në vijën e parë të luftimeve më të ashpra në botë. Bëhet fjalë për luftën famëkeqe të Vietnamit dhe Kinës me Amerikën, fuqinë më të madhe ne botë. Një balerinë e talentuar, e cila u fut krejt rastësisht në rradhët e Ansamblit të Ushtrisë shqiptare. Nën ritmin e valles popullore shqiptare ajo mundi të kalonte edhe mijëra ushtarë të vrarë, bombardime të papërsëritshme dhe dëshirën e popujve për të kërkuar lirinë. Një adoleshencë krejtësisht e rrallë, një famë që u ndërtua vetëm nga pamja ëngjëllore e saj dhe pëlqimi i papërshkueshëm i një prej udhëheqësve më të mëdhenj komunist, siç ishte Mao Cedun, apo Chuin Lai. Askush nuk do kishte pranuar të shkontë në luftë qoftë edhe për të “kënaqur” ushtarët e dënuar me vdekje. Jeta në një vend komunist siç ishte Shqipëria çoi me qindra të rinj, artistë, ushtarakë e mjekë në ndihmë të luftës në Vietnam edhe pse askush nuk e dinte një gjë të tillë. Suzana, një balerinë e re për të cilën ritmi dhe vallja ishin më shumë se gjithçka tjetër u nis për në Kinën e largët, duke përshkuar me tren gjithë Siberinë. Pas gjithë mrekullive, që ajo pa, u ndesh edhe me ferrin, me luftën. Pa të vdisnin nën këmbët e saj me qindra ushtarë, ndër ta edhe amerikanë, për të cilët ajo nuk duhet të shprehte as keqardhje, sepse ishin armiqtë më të mëdhenj të Shqipërisë komusite dhe diktatorit Hoxha. Pas më shumë se gjashtë muaj Suzana kthehet si heroninë nga lufta e Vietnamit, për të vazhduar një jetë normale në Shqipëri. Martohet pas disa vitesh dhe sjell në jetë një vajzë, Emilianën, e cila ka trashëguar nga ajo artin e të kërcyerit dhe është pjesë e Ansabmlit Kombëtar.
Kur keni filluar të merreni me balet?
Kam qenë në klasë të shtatë kur hyra në derën e shkollës së baletit për të provuar veten në artin e kërcimit. Ashtu si shumë bashkëmoshatare të miat, edhe unë e shikoja baletin si një ëndërr të largët, por që në atë kohë na u mundësua falë talentit që kishim dhe punës së palodhshme. Kam qenë në klasën e Zoica Axhës, e cila ka qenë edhe mësuesja ime e parë. Pasi bëra katër klasë baleti më ofruan punë te Ansamblin e Ushtrisë. Të them të drejtën nuk doja, por duke qenë se familja ime nuk kishte kushte të mira ekonomike ishin ata që më detyruan të filloja punë aty. Më ofruan një rrogë të mirë për kohën dhe kështu unë u bëra pjesë e Ansamblit të Ushtrisë.
Si e keni ndier veten si pjesë e Ansamblit të Ushtrisë?
Kam qenë pjesëtarja më e vogël e tij, isha vetëm 13 vjeçe dhe nuk kuptoja asgjë çfarë po më ndodhte. Isha shumë e lumtur, sepse po ecja me hapa të shpejta, po më buzëqeshte karriera më shpejt se sa e mendoja unë. Kam konkurruar me vallen e Tropojës për t u futur në shkollën e baletit, me të cilën kam fituar më vonë edhe mendalje ari në festivalin ndërkombëtar në Rumani në vitin 1963. Pas saj, më morën menjëherë në Ansamblin e Shtetit. Merrja një rrogë të majme sa ndihmoja edhe familjen time, ndaj mendoja se isha me shumë fat. Pak kohë pasi fillova punë pranë Ansamblit të Ushtrisë më caktuan si pjesë e stafit shqiptar, që do të shkonte në një turne të gjatë në Kinë, Vietnam dhe Kore. Nuk e dija se ku do të shkoja, por fluturoja nga emocionet që do të kisha mundësi të shkoja jashtë vendit. Isha aq e vogël sa që nuk kisha nxjerrë akoma pasaportën, madje edhe jashtë dilja me certifikatë.
Çfarë kujtoni nga udhëtimi Shqipëri-Kinë?
Ka qenë një udhëtim mjaft i gjatë, por shumë mbresëlënës. Kemi udhëtuar me ditë të tëra nëpër Siberi dhe kemi parë mrekulli të vërteta, pavarësisht se ishim të detyruar të mos tregonim asgjë kur të ktheheshim në Shqipëri. Ka qenë viti 1966 dhe kujtoj se Vitin e Ri e kemi pritur me Mao Cedun-in dhe Chiun Lai-in, të cilët sapo morën vesh që unë isha edhe pjesëmarrësja më e vogël e stafit shqiptar më thërriti te podiumi i tij dhe më ofroi të shkoja në fron. Mbaj mend që vet Chiun Lai atë natë më ka ftuar të kërcenim danc bashkë, aq shumë i kisha hyrë në zemër, jo vetëm se isha një vajzë simpatike por edhe se isha më e vogla nga të gjithë. Të gjithë kolegët e mi shqiptar si Ibrahim Tukiçi, Zeki Kastari, Agim Tomori etj. Më thoshin “Mjerë ti, tani do të çojnë në luftë”. Ai më kishte përzgjedhur pikërisht mua për të shkuar në fron në mënyrë që të shikoja rininë kineze e vietnameze se si luftonte për liri dhe këto t i transmetoja edhe te rinia shqiptare. Pa e ditur rrezikun që më priste u nisa me shumë dëshirë për në front. Kur kam shkuar aty kam parë ferrin e vërtetë. Isha aq pranë vdekjes, sa nuk e kisha menduar ndonjëherë. Gjithandej shpërthime, avionë që bombardonin dhe njerëz të vrarë.
Pse ju çuan pikërisht në frontin e parë të luftimeve, dhe si ju trajtonin ushtarët aty?
Në kishim shkuar së bashku me shumë grupe të tjera për të argëtuar ushtarët, duke qenë se ishim një nga vendet e bllokut komunist duhet të jepnim kontributin tonë në këtë luftë. Aty kam njohur edhe mjaft shqiptarë të tjerë, të cilët kishin shkuar për të ndihmuar në atë luftë të tmerrshme me fuqinë më të madhe të kohës SHBA-në. Për sa i përket mënyrës se si më trajtonin mua dhe artistët e tjerë ishte e papërshkrueshme. Të paktën unë kisha 3- 4 persona që më rrinin nga pas me ujë e lëngje frutash, ndërkohë që ushtarët hanin vetëm një lugë oriz gjatë gjithë ditës. Mbaj mend që gjatë një bombardimit unë isha e pranishme dhe kisha mbi vete 6 ushtarë, të cilët më mbronin. Më pas më çuan në një tunel poshtë një kishe, ku munda të shoh edhe mjaft të huaj të tjerë, gazetarë, mjekë, ndër ta edhe amerikanë.
Si i trajtonin ushtarët amerikanë, duke qenë se ishin armiq të komunizmit?
Ushtarët amerikanë për ata ishin qënie që nuk duhet të ekzistonin. Më ra rasti një ditë që të shikoja katër ushtarë amerikanë të plagosur, të cilit i kishin marrë peng. Ata në gjendje agonie më kërkonin ujë me gjeste, dhe unë si fëmijë që isha them “sa keq, t i japim pak ujë se po vdes” menjëherë më kthehet gjenerali dhe më thotë”- Suzi jo, ai është armik, jo kështu se merr vesh shoku Enver”- u stepa për momentin por pas pak minutash mendova dhe thashë- “ai po vdes, pse të mos i jap pak ujë, çfarë do më bëjnë, maksimumi do hë heqin nga puna”- shkova i dhashë ujë dhe po të më pyesnin do të bëja sikur nuk e dija që ishin ushtarë amerikanë.
Kishit korrespondencë me Shqipërinë, çfarë lajmesh ju vinin për punën tuaj aty?
Po, kishim një korrespondencë shumë të rregullt, na vinin letrat për tri ditë nga Shqipëria. Madje na vinin fjalë që do të na prisnin me ceremoni të madhe në Shqipëri, madje do të na priste vetë, Enver Hoxha. Në Kinë e Vietnam më shpallën heroninë, madje emrin tim ia vunë edhe një fshati të vogël në Vietnam. Mezi prisja të kthehesha në Tiranë, sepse imagjinoja pritjen e madhe që do na bënin. Por, në të vërtetë nuk ndodhi asgjë. Një incident gjatë kthimit na prishi gjithë entuziazmin e turneut të gjatë në Kinë.
Çfarë ndodhi gjatë kthimit?
Pasi mbaruam turneun e gjatë në Kinë do të ktheheshim, por na duhej të kalonim tranzit në Moskë. Ishte koha kur vendi ynë i kishte prishur marrëdhëniet me Rusinë dhe ne ishim të rrethuar nga sigurimsat. Të ndarë në disa grupe na shëtisnin nëpër vende të caktura në qytet për të blerë ndonjë dhuratë simbolike për familjen tonë. Edhe dita e incidentit filloi kështu. Ali Hoxha, një nga muzikatët e grupit tonë kishte blerë një çantë mjaft të bukur, e cila më ngeli në mendje. Iu luta të ma shiste, por ai më tha që po të merrja leje te shefi i sigurimit për të dalë jashtë do të më çonte të blija një çantë të tillë. Unë si më e përkëdhelura e grupit shkoj për të marrë leje dhe normalisht më lejuan të dilja së bashku me Aliun. Dalim dhe shkojmë në një magazinë të stërmadhe, ku unë mund të blija çantë. Për pak minuta ai më humbi nga sytë dhe unë ngela në mes të rrugëve të Moskës. Normalisht ai kishte vendosur të arratisej për në Hungari, pasi flitej që kishte lënë të dashurën aty, pasi kishte mbaruar studimet. Pas shumë peripecish, me ndërhyrjen e policisë arrita të kthehem në rezidencën shqiptare.
Po në aeroport a ju priti ndokush?
Askush, u ndeva mirë që kishte ardhur im atë, por asgjë nga ato që ne prisnim nuk u bë. Nuk kishte asnjë ceremoni, as Enver Hoxha e askush tjetër nuk na priti.
Çfarë ndodhi më vonë me ju?
Mu desh të shkoja në çdo cep të Shqipërisë për të treguar heroizmat e luftës dhe ushatarëve komunistë. Nuk kam lënë asnjë fabrikë pa kaluar.

Ky lajm është publikuar: 11/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›