E Diel, 1 Nëntor 2026

Szekeres: Jemi të interesuar që Shqipëria të hyjë në BE

Hungaria mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Garancia ka ardhur nga ministri hungarez i Mbrojtjes, Imers Szekeres, gjatë takimit të tij me homologun Gazmend Oketa. Ministri hungarez ka deklaruar se Hungaria është e interesuar që Shqipëria të jetë anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Europian, ku ndër të tjera ka veçuar se si ministri i Mbrojtjes do të jap ndihmën e nevojshme, që Shqipëria të ndjekë hapat e duhur për të hyrë në shtëpinë e madhe europiane. Shqipëria e dorëzoi kërkesën dhe pse e dorëzoi këtë kërkesë ne do të japim mbështetjen tonë që ky proces të ketë sukses. Ka një program të qartë dhe duhet të ecim hap pas hapi. Ristrukturimi i bazës ligjore është detyrë shumë e rëndësishme. Arritje e standardeve që kërkohen nga BE, është gjithashtu një detyrë e rëndësishme. Ne japim ndihmesën tonë gjatë këtij procesi dhe eksperiencën që fituam pas futjes tonë në BE. Hungarisë i intereson që Shqipëria të jetë anëtare në Bashkimin Europian. Jemi të interesuar që integrimi i Ballkanit të shpejtohet dhe çdo mbështetje do ta japim lidhur me këtë, ka theksuar ai. Sipas ministrit hungarez, vendit të tij i intereson që Shqipëria të jetë anëtare e BE-së, pasi janë të interesuar që integrimi i Ballkanit të përshpejtohet dhe jep garancinë se do të bëjnë gjithçka që është e mundur për të. Në vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri, pas anëtarësimit të saj në NATO, ministri hungarez tha se vendi ynë luan një rol kyç për stabilitetin e të gjithë Ballkanit dhe se ka besim tek politika e kujdesshme e qeverisë shqiptare përsa i përket çështjes së Kosovës. Duke u ndalur te bashkëpunimi midis dy vendeve ministri i Mbrojtjes të Hungarisë, theksoi se bashkëpunimi mes Hungarisë dhe Shqipërisë nuk do të jetë vetëm në fushën ushtarake, por edhe në fusha të tjera, si atë ekonomike, pasi qeveria e Republikës Hungareze mbështet dhe nxit kompanitë hungareze që të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri. Nga ana e tij, ministri shqiptar i mbrojtjes, Gazmend Oketa, tha se Shqipëria është e vendosur të përmbushë të gjitha angazhimet e saj, duke shtuar se qeveria shqiptare është e vendosur të dëshmojë se, ashtu siç meritoi anëtarësimin në NATO, do të meritojë edhe anëtarësimin në BE. Përsa i përket ndihmesës konkrete të Hungarisë në misionin e asgjësimit dhe demontimit, ministri Oketa e cilësoi këtë çështje prioritet të dytë të kësaj ministrie. Çështja e demontimit të municioneve luftarake është prioriteti i dytë i kësaj ministrie. Është një problem konkret, dhe kur flitet për aleanca, nënkuptojmë bashkëpunim edhe në këtë fushë, nënvizoi Oketa.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›