Topi- ministrit hungarez: Të gatshëm për rritjen e standardeve të bashkëpunimit
Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, presidenti Topi i ka cilësuar si një tjetër sfidë madhore për vendin tonë. Sipas tij, përballimi me sukses i tyre është një hap i sigurt dhe tepër i rëndësishëm në rrugën për integrimin në Bashkimin Evropian, duke përmbushur kështu prioritetin e dytë madhor. Këtë deklaratë, kreu i shtetit e ka bërë gjatë takimi që ka zhvilluar me ministrin e Mbrojtjes së Hungarisë, Imre Szekeres dhe delegacionin që e shoqëronte, në kuadër të vizitës së tij në vendin tonë.
Në këto momente, si vend anëtar i Aleancës më të madhe të paqes dhe të sigurisë në botë, ne jemi të gatshëm dhe të ndërgjegjshëm për nevojën e rritjes së standardeve të bashkëpunimit me vendet partnere të NATO-s, në përmbushje të misioneve të rëndësishme të saj, nënvizoi kreu i shtetit, duke vënë në dukje vijimësinë e reformave për transformimin dhe modernizimin e Forcave tona të Armatosura. Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes së Hungarisë, shprehu urimet për anëtarësimin me të drejta të plota në NATO. Ne e shikojmë Shqipërinë si faktor qëndrueshmërie në rajon dhe e vlerësojmë shumë politikën e saj të kujdesshme e të moderuar në Ballkan, theksoi ai. Presidenti Topi dhe ministri Szekeres ndanë të njëjtën pikëpamje për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor duke shprehur bindjen se pas vendosjes së qëndrueshmërisë politike, e ardhmja e të gjitha vendeve të gjitha vendeve të rajonit do të jetë orientimi dhe anëtarësimi në strukturat euro-atlantike dhe në gjirin e familjes së madhe evropiane.