TEHERAN – Irani refuzon kërkesën e SHBA-së për të dërguar jashtë vendit rezervat e uraniumit të pasuruar

TEHERAN, 21 maj /ATSH/- Irani ka refuzuar kërkesën amerikane për të dërguar jashtë vendit, rezervat e uraniumit të pasuruar pranë nivelit ushtarak, pas një urdhri të udhëheqësit suprem, Ajatollah Ali Khamenei, raportuan burime të larta iraniane, raportoi “Reuters”.
Udhëheqësi Suprem i Iranit ka lëshuar direktivën që uraniumi i vendit, i cili është pothuajse i përshtatshëm për armë, nuk duhet të dërgohet jashtë vendit, thanë dy burime iraniane, duke ashpërsuar qëndrimin e Teheranit ndaj njërës prej kërkesave kryesore të SHBA-së në bisedimet e paqes.
Urdhri i Ajatollah Mojtaba Khamenei mund ta zemërojë presidentin e SHBA-së Donald Trump dhe t’i ndërlikojë bisedimet për t’i dhënë fund luftës SHBA-Izrael kundër Iranit.
Sipas burimeve, Teherani e konsideron largimin e uraniumit si një rrezik që do ta linte vendin më të pambrojtur ndaj sulmeve të mundshme nga SHBA-ja dhe Izraeli.
Ky qëndrim pritet të ndërlikojë negociatat për armëpushim dhe programin bërthamor iranian.
Izraeli dhe SHBA-ja kërkojnë që çdo marrëveshje paqeje të përfshijë largimin e uraniumit të pasuruar nga Irani.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se lufta nuk do të konsiderohet e përfunduar pa eliminimin e rezervave të uraniumit dhe kapaciteteve raketore të Iranit.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se Uashingtoni është gati për sulme të tjera nëse Teherani nuk pranon një marrëveshje.
Burimet iraniane thanë se ekziston një mosbesim i thellë ndaj SHBA-së, me zyrtarët që dyshojnë se armëpushimi aktual mund të jetë një manovër taktike për përgatitjen e sulmeve të reja. //a.i/