TEMA R.I.P. Nga Gary Q. KokalariPër krimet e tij kundër demokracisë, nuk ka asnjë dyshim se Sali “Enver” Berisha është armiku publik numër një i Shqipërisë. Të premten, botuesi i gazetës shqiptare, Mero Baze, u godit sërish nga një prej miqve të B
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
TEMA R.I.P. Nga Gary Q. KokalariPër krimet e tij kundër demokracisë, nuk ka asnjë dyshim se Sali “Enver” Berisha është armiku publik numër një i Shqipërisë.
Të premten, botuesi i gazetës shqiptare, Mero Baze, u godit sërish nga një prej miqve të Berishës. Thuhet se kësaj here Baze u sulmua nga burri i një deputeteje demokrate. Ndoshta ju mund të sillni në kujtesë se pikërisht para pak javësh, Baze u sulmua fizikisht nga Rezart Taçi, një tjetër anëtar i rrethit të ngushtë të Berishës. Taçi u arrestua për këtë sulm, por tani shëtit i lirë dhe mbetet për tu parë nëse do të ketë një gjyq ndonjëherë për të përcaktuar përgjegjësinë e Taçit për këtë krim.
Por mos u habisni nëse supozoj se gjyqi për Taçin do të futet në një rrugë pa krye, ashtu siç ndodhi me përpjekjet për të hetuar Lulëzim Bashën për praktika korruptive apo me hetimin për Fatmir Mediun për rolin e tij në vrasjet masive në Gërdec.
Si një njeri familjar me Shqipërinë e di shumë mirë se kjo nuk ishte hera e parë e përdorimit të taktikave frikësuese për të ndaluar Mero Bazen që të ushtrojë të drejtën e tij për fjalën e lirë. Makinës së tij iu vu flaka dhe nuk të duhet shumë të kuptosh se liderët politikë ishin përgjegjës për këtë krim. Vitin tjetër kishte një incident tjetër kur Enver Berisha dërgoi policët e tij për të mbyllur zyrën e Bazës dhe për të konfiskuar pajisjet e printimit në një përpjekje zhurmëmadhe për të ndaluar Bazen që të publikojë artikuj kritikë me qeverinë Berisha. Por Baze ishte në gjendje që të rivendoste publikimin e Temës, kështu që të rikthehej tek e drejta e tij për të ushtruar fjalën e lirë.
Megjithatë, ashtu siç e dimë të gjithë, Enver Berisha është një ujk i tërbuar me veshje deleje, që sillet si një engjëll kur flet me liderë të huaj, por tërbohet kur kthehet në Shqipëri, ashtu si idhujt e tij, Enver Hoxha dhe Jozef Stalin.
Kështu, për koincidencë, një tjetër sulm mbi Mero Bazen, shkoi paralel me vendimin e mbuluar të qeverisë Berisha për të gjobitur e më pas konfiskuar pajisjet e Temës, për të bërë të pamundur për Mero Bazen që të botojë më tej. Si rezultat i kësaj, të shtunën ishte dhe edicioni i fundit i gazetës Tema.
Kjo duhet parë ashtu siç është në të vërtetë: një krim kundër gjithë shqiptarëve, sepse rrëzon një nga shtyllat kryesore të demokracisë- lirinë e të shprehurit. Mero Baze ishte një dhe i vetmi gazetar shqiptar që kishte kurajën të ngrihej dhe të fliste për krimin dhe korrupsioni, depozitimin dhe autoritarizmin e djalli, për qeverisjen imorale të Berishës.
Dhe të gjithë shqiptarët duhet të vajtojnë këtë humbje për shkak se ata janë dëshmitarë të një përpjekje tjetër të Enver Berishës për të rikthyer të kaluarën e tyre shtypëse.
Mesazhi i Berishës është i qartë: Do të shkatërroj të gjithë ata që vendosin të ngrihen kundër regjimit tim.
Mos bëni gabime, si Enver Hoxha, edhe plani i Berishës është që të qëndrojë në pushtet për aq gjatë sa është gjallë dhe më pas të kalojë mantelin e pushtetit tek familja e tij kur të vdesë. Dhe përsa kohë që diktatura do jetë në fuqi, Berisha do të mbushë xhepat e tij me një pjesë të çdo marrëveshje të madhe biznesi në Shqipëri. Në zemrën e tij Berisha është një komunist që i bën demokracisë vetëm një shërbim, atë të ruajtjes së folesë së tij dhe të mashtrimit të zyrtarëve të lartë amerikanë dhe evropianë, të cilët i ka frikë se mund ta rrëzojnë nga froni.
Nëse ka një lajm të mirë është se natyra irracionale e Berishës po e ndihmon atë që të hapë një gropë më të madhe për veten. Ne e kemi parë këtë model dhe më parë kur lakmia dhe marrëzia e Berishës solli ngritjen dhe rënien e firmave piramidale, për të cilat ai ka vulën kryesore të përgjegjësisë. Kur piramidat ranë, ashtu siç kisha parashikuar, Shqipëria u zhyt në kaos dhe ishte ndërhyrja intensive e amerikanëve dhe evropianëve që riktheu rendin në vend.
Marrëzia dhe lakmia e Berishës ishin sërish në skenë kur ai nxitoi të nënshkruante një kontratë pa ofertë për ndërtimin e projektit më të madh civil në historinë shqiptare, që kaloi me mbi tre herë buxhetin fillestar e që vazhdon të thithë akoma më shumë para duke dalë krejt jashtë kontrollit. Ky projekt ka hapur një vrimë të madhe në buxhetin shqiptar.
Për t’i bërë gjërat më keq, duket se situata mund të përkeqësohet më tej për shkak se ka pasur një gabim fatal në projektim, çka mund të sjellë skenarin më të keq, atë të ndryshimit të kursit të krejt rrugës. Mos kini dyshim se ka pasur një mungesë totale informacione në lidhje me faktet që rrethojnë këtë skandal, ndërsa qeveria Berisha përpiqet të gjejë një zgjidhje që mund të kushtojë deri në qindra milionë dollarë.
Berisha tani ka marrë vendim që të ofrojë 300 milion euro bono për të ndihmuar në pastrimin e rrëmujës që ka krijuar verbërisht me projektin më të madh inxhinierik.
Lexoni të gjitha lajmet ekonomike në gazetat kryesore e do shihni se si Greqia është lajm kryesor për shkak se ndodhet në humnerë nga deficiti.
Dhe vende si Spanja, Portugalia, Irlanda e Italia kanë problemet e tyre fiskale dhe janë duke ngritur shqetësime në lidhje me aftësitë e tyre kreditore në tregun ndërkombëtar të kapitaleve. Edhe Gjermania, që është një nga lëshuesit më të sigurt të borxhit qeveritar, ka qenë subjekt i ngritjes së interesave.
Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë?
Pavarësisht iluzioneve të Berishës se Shqipëria është si një oaz në shkretëtirën ekonomike, edhe nëse Shqipëria do të hedhë në qarkullim një bono të re, kostot do të jenë shumë të larta, çka do të hapë një tjetër plagë në ekonominë shqiptare.
Përpjekja e Berishës për të bërë këtë vetëvrasje financiare në ambientin aktual ekonomik do të thotë se ai ose është çmendur, ose shumë i dëshpëruar- ose të dyja bashkë.
Me largimin e Temës nga komuniteti gazetaresk, shpresoj të ketë gazetarë të tjerë që do të kenë kurajo të publikojnë problemet e rënda që janë krijuar nga Enver Berisha.
E kuptoj se ka shumë njerëz që nuk bien dakord gjithmonë me opinionet e Meros.
Në fakt, edhe unë kam pasur kundërshtitë e mia ndaj tij. Por, e drejta më themelore e një demokracie të vërtetë është e drejta për të kritikuar qeverinë. Dhe duke punuar në mënyrë aktive e agresive për të minuar punën e Mero Bazes, Berisha ka provuar se është armiku kryesor i demokracisë në Shqipëri.
TEMA R.I.P.
* Tema Rest In Peace, (U prefsh në paqe)