Tabelat ndalohet duhani mbyten nga smogu i duhanit
Tiranë- Kuvendi i Shqipërisë, një vit më parë miratoi ligjin anti duhan, i cili ndalon përdorimin e tij në vendet publike. Por si në shumë fusha të tjera, ku ligjet ekzistojnë vetëm në letër e nuk zbatohen, edhe ligji anti duhan ka rezultuar një dështim i plotë.
Sapo hyn tek një nga baret pranë rrugës së Elbasanit në Tiranë, tek dera shikon tabelën, e cila tregon që ndalohet duhani, por në të gjitha tavolinat ka tavlla duahni që do të thotë se mund ta ndezësh cigaren. Diku tek cepi shohim një grup të rinjsh, të cilët kanë ndezur cigaren dhe tymosin pa asnjë problem. Gjithashtu edhe personeli i barit nuk reagon për t’i ndaluar, ndonëse ligji njëkohësisht ia lejon dhe ndalon që duhani të konsumohet aty.
Kur kamarieri vjen tek tavolina jonë dhe sjell porosinë, e pyes se me ligj ndalohet duhani në vendet publike, dhe pse lejoni ju që ai të konsumohet këtu?
Duke parë i habitur nga pyetja dhe i ndodhur në një dilemë që të përgjigjet ose jo, më thotë se detyrohemi të shkelim ligjin për të mbrojtur klientelën.
E dimë që është e ndaluar, por në qoftë se iu kërkojm렠klientëve ta fikin cigaren, ata herë tjetër nuk do të vijnë në lokalin tonë, - thotë ai.
Pasi konsumoj kafenë e porositur i afrohem banakut, për të kryer një bashkëbisedim me baristin. E përshëndes dhe e pyes që a kërkohet nga personeli që të mos konsumohet duhani brenda lokalit?
Më sheh i çuditur dhe më pyet: Pse kush je ti që pyet, i tatimeve? I shpjegoj që jam gazetar dhe këmbëngul tek pyetja ime. Duke vazhduar punën e tij më thotë se në fillimet e miratimit të ligjit kërkonim që të mos konsumohej, por pamë që klientela po binte, gjithashtu - vazhdon ai, policia bashkiake apo tatimore vetëm një herë kanë ardhur për kontroll, kur ata nuk marrin masa, pse ne ta ndalojmë?”.
Por si reagonin klientët kur u kërkohej të fiknin cigaren? “Patjetër që e fiknin thotë kamarieri – duke pasur dhe kundërshtime të tipit; kafeneja prandaj është. Por qëndrimi i tyre në lokal nuk zgjaste më shumë se 20 minuta, ndryshe nga tani që ka persona që rrinë nga 2 orë. - vazhdon ai.
Gjatë qëndrimit tek banaku më afrohet kamarieri që biseduam pak më lart, dhe sërish i kërkoj të më thotë se si reagojnë personat të cilët duan që aty mos të konsumohet duhani. Buzëqesh dhe më thotë: Prapë me këtë bisedë ti?
Ndërkohë ndërhyn banakieri, duke thënë që është gazetar, dhe ai vazhdon të më përgjigjet, duke më thënë se ka nga ata që nuk e durojnë dot tymin e cigares dhe kërkojnë që ai të mos konsumohet sty. Ka sa të duash që nuk e durojnë duhanin dhe që kërkojnë tu kërkojmë klientëve ta fikin. Sigurisht që nuk e bëjmë sepse shumica e pinë cigaren. Ata qëndrojnë shumë pak dhe largohen. Ka dhe nga ata që sa ulen shohin që pihet duhan dhe largohen vazhdon ai.
Largohem që aty dhe shkoj tek tavolina, dhe duke hedhur një sy përreth shoh që pothuajse në të gjitha tavolinat konsumohet duhani, dhe madje shihet një re tymi që mbulon fytyrat e personave.
Pasi largohemi nga bari e vazhdojmë kërkimin tonë në disa nga baret e Ish- bllokut. Edhe aty është i njëjti fenomen. Të rinj me cigare në dorë. Re tymi të krijara nga duhani. Në disa vende ndodhet tabela që tregon ndalimin e duhanit, por në disa të tjera jo.
Kërkimin për të denoncuar konsumin e duhanit në vendet publike e vazhdojmë, dhe këtë herë mendojmë që të vëzhgojmë qendrat tregtare të Tiranës. Kjo sepse aty është një ambient i mbyllur dhe akoma më publik. Gjatë qëndrimit në një nga qendrat tregëtare shohim që kudo ka tabela anti duhan.
Ndërkohë ajo që më bën përshtypje është fakti që në cdo dhjetë minuta ka lajmërime nga qendra e kontrollit e cila thotë që ndalohet duhani. Bëjmë një provë për të parë që a e ndalojnë vërtet konsumimin e duhanit, duke ndezur një cigare. Pas pak minutash afrohet një nga rojet e sigurisë dhe më drejtohet: Zotëri ndalohet përdorimi i duhanit brenda qendrës, duhet ta fikni. Insistoj të mos e fik, por ai qëndron aty derisa më detyron ta fik cigaren.
Është një shembull i cili duhet të zbatohet në të gjitha vendet publike, jo vetëm në bare apo restorante. Sepse siç dihet duhani dëmtom më shumë personat pasivë, pra ata që e marrin tymin nga të tjerët, se sa vetë personin që e përdor atë.
Nga ky vezhgim kuptohet që kudo konsumohet duhan, dhe subjektet përkatëse nuk marrin masa për ta ndaluar atë. Gjobat janë të ulta dhe vëzhgimet nga afër kryhen shumë rrallë.
Kliti Topalli / IDEA
No related posts.