E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadic: Serbia nuk do të heqë dorë nga Kosova

Presidenti serb Boris Tadic ka deklaruar të premten nga Shkupi, se Kosova nuk duhet të bëhet pengesë për integrimin e Serbisë në strukturat evropiane.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun maqedonas Gjorgje Ivanov, Tadic është shprehur se Kosova përbën një interes parësor për Serbinë.

“Serbia ka interesa legjitime prej të cilave as nuk mundet dhe as nuk dëshiron të heqë dorë dhe zgjidhja e cështjeve për Kosovën nuk mund të jetë pengesë për të ardhmen evropiane të Serbisë”, ka deklaruar Tadic.


Më tej dy presidentët janë shprehur njëzëri se e ardhmja e vendeve të tyre është në Bashkimin Evropian, duke nënvizuar se pavarësisht “kushteve shtesë”, “Kosova” për Serbinë dhe “emri” për Maqedoninë, ata nuk dekurajohen.

“Eurointegrimet na bashkojnë të gjithëve në rajon dhe nuk na dekurajon fakti që kemi kushte shtesë dhe që Maqedonia për të tretin vit radhazi ka marrë raport pozitiv, por jo një datë për nisjen e bisedimeve”, ka deklaruar Ivanov.

Disa ditë më parë Tadic deklaroi se Brukseli i kishte vendosur njohjen e Kosovës si kusht për dhënien e statusit të kandidatit, deklaratë kjo që u përgënjeshtrua nga Bashkimi Evropian.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›