E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadiç: Zgjidhja për Kosovën në katër pika kryesore

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, paralajmëron se gjatë javëve të ardhshme nga vendet më me ndikim të botës do të kërkojë mbështetjen për planin mbi Kosovën, i cili nënkupton një zgjidhje për veriun e Kosovës, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe të manastireve, si dhe mbrojtjen e pronës dhe garancionet për sigurinë e serbëve në enklava.

“Kornizë themelore e këtij plani është zgjidhja kushtetuese, me të cilën Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe njëkohësisht një qëndrim të qartë të të gjitha vendeve më me ndikim në komunitetin ndërkombëtar të cilët nuk dëshirojnë ndarjen e Kosovës”, ka thënë Tadiç në intervistën dhënë gazetës “Veçernje novosti”.

Tadiç saktëson se plani bazohet në katër pika kryesore.
“Zgjidhja për veriun e Kosovës, të cilin e karakterizon padyshim një realitet ndryshe në raport me dominimin shqiptar më jug të Ibrit, mbrojtjen e manastireve dhe të trashëgimisë sonë, mbrojtjen e pronës së shtetit dhe të qytetarëve më Kosovë dhe posaçërisht garancionet për sigurinë edhe të ardhmen e serbëve që jetojnë në enklava”, ka thënë presidenti serb.

Sipas Tadiçit, zgjidhja duhet të marrë parasysh interesat serbe, por edhe shqiptare, e gjithashtu duhet të marrë parasysh edhe pozicionet dhe interesat e të gjithë faktorëve kryesorë të politikës ndërkombëtare para së gjithash të anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit dhe vendeve me ndikim të BE-së.

“Ekzistojnë shume modele, nga shembulli i dy Gjermanive, përmes Tirolit Jugor, Ishujve Oland, modelit irlandez, nga të cilat duhet shkëputur atë që është e mirë dhe e zbatueshme në hapësirën e Kosovës”, ka thënë Tadiç, duke theksuar se arritja e zgjidhjeve dhe e kompromisit është në interes të Serbisë.

Tadiç ka shprehur bindjen se është e mundur të gjendet zgjidhja në të cilën nuk ka humbës përfundimtar, pavarësisht asaj se zyrtarë ndërkombëtarë flasin se çështja e Kosovës është zgjidhur me shpalljen e pavarësisë”. / Kosova.com

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›