E Diel, 1 Nëntor 2026

Tadiç akuza Koshtunicës: Po ndryshon politikën për Kosovën

• Presidenti serb, Boris Tadiç ka deklaruar se partia e Koshtuninës, DSS ndërmerr hapa që janë në kundërshtim me politikën shtetërore për çështjen e Kosovës.

Lideri i Partisë Demokratike, njëkohësisht President i Serbisë, ka akuzuar ish-aleatët, tashmë rivalë në zgjedhje, Kryeministrin Vojislav Koshtunica në një intervistë në “Veçernje Novosti”. Tadiç tha se ai “nuk ka lëvizur asnjë fije nga politika e tij për Kosovën”. Kreu serb shpjegoi se akuzat ndaj DSS i drejtoheshin një propozimi për ndarje funksionale të Kosovës në vija etnike, të paraqitur së fundmi në UNMIK nga ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç, i cili, sipas fjalëve të Tadiç, çon në ndarjen e ish-provincës serbe. Tadiç tha se ndarja ishte konsideruar si një nga politikat e qeverisë serbe, por më pas kjo ide ishte hedhur poshtë, dhe në vend të saj ishte pranuar politika e përgjithshme mbi një autonomi esenciale për Kosovën. Sipas liderit të demokratëve për ndryshimin e politikës së shtetit për një çështje të caktuar duhet të vendosin së bashku Parlamenti, Qeveria dhe Presidenti, por edhe qytetarët me anë  të referendumit, pasi “ndarje do të thotë ndryshim i kufijve të Serbisë”. Tadiç e ka vlerësuar planin e Samarxhiç të rrezikshëm, duke shtuar se “asnjë ministri nuk ka të drejtë të bëjë propozime që janë shkelje e Kushtetutës, dhe mohoi se plani ishte bërë në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme, të kontrolluar nga partia e tij. Sa për koalicionin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Tadiç ka sjellë në mendje G17 Plus dhe Ligën e Socialdemokratëve të Vojvodinës (LSV). Sa për borxhin e Kosovës, që lideri i G17 Plus, Mladan Dinkiç beson se Serbia nuk duhet ta paguajë, Tadiç tha se duhet të gjendjet një zgjidhje e cila nuk do të rrezikojë integritetin vendit, pasi asnjë qytetar i Serbisë nuk duhet të paguajë për “shtetin fals të Kosovës”. Një zgjidhje mund të jetë një marrëveshje me kreditorët ndërkombëtarë të cilët mund të na shtyjnë larjen e borxhit “derisa statusi i Kosovës të përcaktohet”. Tadiç shtoi se aktiviteti diplomatik i Serbisë do të fokusohet në ndalimin e sa më shumë vendeve që të njohin pavarësinë e Kosovës. I pyetur nëse mendon se është koha që në këto shtete të rikthehen ambasadorët e  Serbisë të tërhequr pas njohjes së pavarësisë, Tadiç tha se kjo çështje duhet të analizohet mirë. “Nëse është vendosur të sillemi kështu, kjo nuk është bërë vetëm për arsye ekonomike që gjithmonë janë të rëndësishme, por edhe për të luftuar për interesat tona dhe për ta influencuar me diplomaci mbi mbrojtjen e interesave të vendit tonë”, ka deklaruar Tadiç duke theksuar se për të do ishte shumë i rëndësishëm “nënshkrimi i menjëhershëm i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në”, por deri tani BE nuk ka dhënë shenja të qarta për këtë, “që kur evropianët po analizojnë udhën nëpër të cilën po ecën Serbia”. Sa për vullnetin e votimeve të 11 majit, Tadiç tha se Serbia duhet të zgjedhë mes të qenit një vend i mrekullueshëm, apo një vend si ai i viteve ’90, i izoluar dhe pa perspektivë ekonomike.

Raporti, plani për ushtrinë
KFOR, Trupat Mbrojtëse për Kosovën dhe Zyra Ndërkombëtare Civile po përgatiten të formojnë forcat e sigurisë së Kosovës. Sipas një të përditshmeje në Prishtinë, ushtria kosovare “nuk do të ketë armatime të rënda dhe do të jetë në përputhje me kërkesat e standardet e NATO-s”. Ky plan parashikon 2 500 ushtarë aktivë dhe 800 rezervistë, nga mosha 19 në 35. 50 ekspertë të NATO-s do të mbërrijnë në Kosovë në maj për të regjistruar dhe trajnuar anëtarët e kësaj force.

NATO, samiti edhe për Kosovën
Përfaqësuesit e vendeve anëtare të NATO-s kanë deklaruar se në Samitin e Bukureshtit, i cili do të zhvillohet nga data 2 deri më 4 prill, do të diskutohet edhe për gjendjen e Kosovës dhe stabilitetin në këtë vend që kur u shpall pavarësia. Samiti do të organizohet kryesisht për ftesat e vendeve kandidate për anëtarësim në aleancë, mes të cilave edhe Shqipëria. Në këtë samit, në të cilin do të marrin pjesë afro 60 shefa të shteteve dhe të qeverive, do të vendoset se a do t’u dërgohet ftesë tri vendeve ballkanike.

Samarxhiç në Kosovë dje dhe sot
Ministri serb për Kosovën po i shpeshton vizitat në republikën e re të rajonit, pasi tashmë pothuajse çdo javë ai kalon kufirin për të vizituar zonat serbe në Kosovë. Herën e fundit ai dorëzoi një dokument tek UNMIK ku i kuronte ndarjet teknike të Kosovës në vija etnike, po kësaj radhe? Samarxhiç do të takohet me liderët e komunave në veri të Kosovës dhe liderin e Mitrovicës. Ministri serb pritet të vizitojë fshatrat Priluzhje, Laplje Selo dhe Novo Bërdo. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›