E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tafaj: Do të rishikohet shpërndarja e mësuesve

Duke u ndalur në thellimin e politikave në arsimin e mesëm dhe 9- vjeçar, Tafaj tha se "do të përpiqemi të shmangim shpërndarjen disproporcionale të mësuesve në shkallë vendi, me qëllim që ata të mos përqëndrohen vetëm në zonat urbane, por edhe ato rurale, që kanë nevojë për mësues të kualifikuar".

Sipas tij, edhe arsimi i mesëm do të ketë shumë shpejt një rajonalizim shumë racional.Ministri Tafaj bëri të ditur se refomat e ndërmarra do të rrisin më tej statusin dhe pagën e mësuesve.

 "Ne kemi programe dhe do të investojmë më tej në kualifikimin e mësuesve. Këtu bëhet fjalë për mësuesit që kanë vite përpara për të punuar në sistem dhe që kërkojnë mbështetje. Ata do të plotësojnë njohuritë në teknologjinë e informacionit, gjuhës angleze, pse jo, edhe një aktualizim të njohurive shkencore që zhvillojnë”, shpjegoi Tafaj. Ndërsa bëri një përmbledhje të arritjeve në arsim në legjislaturën e kaluar, ku prioritete ishin struktura, përmbajtja dhe funksionimi i sistemit arsimor, ministri Tafaj tha se "tashmë në fokus do të jetë ana sociale e shkollës".

"Për ne është e rëndësishme që asnjë nxënës të mos humbasë shansin që ofron shkolla, duke filluar që nga pjesëmarrja. Prandaj kemi shpallur edhe objektivin "braktisja zero". Kjo është një strategji e tërë që kërkon programe konkrete që po i zhvillojmë, po bashkëpunojmë ngushtë me partnerë të huaj dhe organizatat brenda vendit", tha ministri Tafaj, duke shtuar se progresi në anën sociale të arsimit do të thellohet. Në arsimin parauniversitar vazhdon faza e dytë e teknologjisë së informacionit, për të cilin MASH ka ngritur një drejtori të veçantë.

 "Ky zhvillim i rëndësishëm ka krijuar premisa të plota që të kalojmë në ngritjes së bibliotekave dixhitale, për të cilën kemi fonde të përcaktuara", bëri të ditur Tafaj. Sipas tij, reformat në arsim tani janë fokusuar drejt cilësisë. "Ky slogan do të jetë si kryefjalë edhe në arsimin e lartë, ku cilësia, sistemi dhe reforma e shpërndarjes së fondeve, do të jetë prioritet", tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›