Tafaj: Historia XII do të rishkruhet
Libri i Historisë XII do të rishkruhet, sipas ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili ripërsëriti dje qëndrimin e Kryeministrit Berisha për shmangien e çdo lloj politizimi në librat shkollorë. Në këtë mënyrë brenda vitit pritet që të rishikohet teksti në fjalë, për të anashkaluar reagimet negative që u shkaktuan nga publikimi i tij. Pas këtij qëndrimi, reagoi edhe Partia Socialiste, e cila deklaroi se ky qëndrim tregon edhe një herë qeverisjen autokratike të vendit.
Tafaj
Ministri i Arsimit, z. Myqerem Tafaj, i ka dhënë fund polemikës së hapur mes aktorëve politikë dhe shoqërorë në lidhje me tekstin shkollor të Historisë XII. Gjatë një prononcimi për mediat, ministri Tafaj deklaroi se ky libër do të rishkruhet në mënyrë që të shmanget çdo lloj politizimi i teksteve shkollore dhe se ky rishikim do të kryhet brenda këtij viti.
Duke folur përpara mediave, të interesuara në lidhje me tekstin e historisë, ministri deklaroi se “libri do të rishkruhet që këtë vit”. Sipas tij, “shumë kritikë kanë kërkuar të jepen fakte nga historianët për periudhën e viteve të fundit dhe të shmangen politizimet e ngjarjeve”.
Reagimi i PS-së
Menjëherë pas kësaj deklarate, që duket se i dha fund historisë së tekstit të historisë, reagoi edhe Partia Socialiste, me anë të së zgjedhurës për deputete, znj. Ledi Shamku, e cila deklaroi se reagimi i Kryeministrit dhe i ministrit “vërteton edhe një herë atë çka u thamë shqiptarëve: në këtë vend nuk po ka më institucione të lira që bëjnë punën e vet. Nuk ka as ministra. Ka vetëm një tufë buratinësh, fijet e të cilëve i lëviz të gjitha Berisha”.
Ajo kërkoi në emër të PS-së, që libri të tërhiqet menjëherë nga shkollat, si edhe shkarkimin e zëvendësministrit Shamata, i cili sipas saj, “rendi të shpallte se libri është konform të gjitha standardeve, porse sulmet ndaj tij janë thjesht politike”.
Qëndrimi i Kryeministrit
Një ditë më parë, Kryeministri Berisha kishte kërkuar rishikimin e menjëhershëm të librit. “Historia duhet të jetë e vërtetë dhe objektive dhe duhet të paraqesë vërtetësisht realitetin. Nuk e kam lexuar, por nga ato ç’kam ndjekur nga mediat, ka paraqitur regjimin kleptokratik që ne e përmbysëm në 2005 tërësisht në klishenë e vjetër, në kuptimin se nuk mund të mohosh faktin që negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit u hapën në vitin 2002, gjatë qeverisjes socialiste, – kishte deklaruar ai. – Pra, në histori nuk ecet bardh e zi. Ajo çka duhet të them, është se historia duhet të rishqyrtohet dhe të rishkruhet dhe këtu nuk heq asnjë presje, por duhet të rishqyrtohet dhe të rishkruhet me objektivitet, ndershmëri, sepse përndryshe bën vetëm një replikim të shkrimit të saj”.
Libri
Libri i Historisë për profilin natyror të shkollave të mesme të përgjithshme shkaktoi një polemikë politike, pasi sipas përfaqësuesve të opozitës, ky libër shkruante në mënyrë të njëanshme në favor të partisë qeverisëse, historinë e tranzicionit shqiptar. Libri u kritikua edhe nga faktorë të tjerë të shoqërisë civile, ndërkohë që Ministria e Arsimit deklaroi fillimisht se nuk është në kompetencën e saj censurimi i autorëve të librit.