Sistemi i referencës, prishje kontrate mjekëve që iu kapen pacientë pa rekomandim
Nuk do të pranohen më pacientë që për gjëra shumë të thjeshta shkojnë në QSUT apo në spitalet e rretheve. Shkelja e sistemit të referimit ka bërë që shumë pacientë të anashkalojnë mjekun e familjes dhe t’u drejtohen spitaleve edhe për gjërat më “banale”. Por dje, në takimin e organizuar nga ISKSH-ja dhe më të pranishëm ministrin e Shëndetësisë, z. Petrit Vasili, dhe ambasadorin e Republikës Federale Gjermane në Tiranë, z. Bernd Borchardt, është rënë dakord për vendosjen e sanksioneve mjekëve që iu gjenden raste pa rekomandime, pa fletët përkatëse që shoqërojnë pacientin. Sipas drejtoreshës së ISKSH-së, Elvana Hana, nëse do të shkelen këto masa, do të ketë sanksione kontraktuale që do të shkojnë deri në prishje të kontratës. Më tej, znj. Hana sqaroi edhe pikat e reformës në sistemin parësor, spitalor dhe atë terciar.
Çfarë i keni sugjeruar ministrit të Shëndetësisë për reformën spitalore?
Reforma në spitale është shumë e re, ka filluar në fillim të vitit 2009 dhe natyrisht që presim tashmë të vazhdojë me hapa shumë të mëdhenj. Ajo çka ne i sugjeruam, është që nivelet e spitalorit të arrijnë të paktën në mënyrë sa më të shpejtë nivelin e pavarësisë së parësorit, në mënyrë që drejtorët e spitaleve të ndjihen përgjegjës për fondet që shkojnë në të mirë të pacientëve. Një tjetër sugjerim i rëndësishëm është se në një fazë të dytë ne synojmë të lidhim reformën me tregues të performancës së spitaleve. Ministria e Shëndetësisë ka vendosur të ndiqet sistemi i referimit dhe nuk do të pranohen më pacientë që për gjëra shumë të thjeshta të shkojnë në QSUT apo spitalet e rretheve.
Çfarë do të ndodhë me kujdesin parësor?
Është shumë e rëndësishme ndjekja e sistemit të referimit dhe ka qenë një nga plagët më të mëdha që Instituti ka ngritur me forcë në gjithë këto vite, në mënyrë që të merret në konsideratë mjeku i familjes. Ne jemi në një proces që po përmbyllim depistimin e personave në të gjithë republikën në mënyrë që të dihet se cili mjek është përgjegjës për cilët persona, duke lejuar dhe zgjedhjen e lirë të mjekut. Në përmbyllje të këtij procesi patjetër që presim që mjeku i familjes të përzgjidhet gjithnjë e më shumë pavarësisht se duhet theksuar se frekuentimi i mjekut të familjes është rritur ndjeshëm me nisjen e reformës në shërbimin parësor.
Do të ketë sanksione?
Natyrisht, do të ketë dhe sanksione në kontratat që ne i shoqërojmë, qoftë në kontratat e nivelit të parë me shërbimin parësor, ku kjo pikë ecën më mirë, qoftë me kontratat e nivelit të parë me shërbimin spitalor, ku kjo pikë ka disa ngecje, por ne do të vëmë sanksione që te mos pranohen raste pa rekomandime, pa fletët përkatëse që shoqërojnë pacientin (kuptohet përjashtohen urgjencat). Nëse do të shkelen këto masa, do të ketë sanksione kontraktuale që do të shkojnë deri në prishje të kontratës.
Cili është koncepti i menaxherit të spitalit?
Menaxheri i spitalit duhet të jetë i fuqishëm. Duhet të ketë fuqi ekzekutive për mendimin tim, sepse nëse ai nuk e ka këtë fuqi ekzekutive, nuk mund ta ushtrojë me stafin tjetër, si mjekët shefat e shërbimit, infermierët etj. Pra, duhet të ketë një status të fuqishëm.
Për sa i përket bashkëfinancimit, si do të funksionojë?
Ne kemi bashkëfinancim për disa shërbime, si për ekzaminimet terciare (10 %). Kjo do të funksionojë dhe më tej. Ne duam ta shtrijmë këtë dhe në shërbime të tjera, të cilat i janë lënë vullnetit të parave informale, pra pacientët paguajnë në mënyrë informale.
Ne duam që çdo gjë të formalizohet pra dhe pagesa që vjen nga ISKSH tek mjekët për shërbime të veçanta, por dhe pagesa që vjen nga pacientët tek mjekët për disa shërbime të formatizohet dhe të jetë shumë minimale në krahasim me ato që paguhen sot për të krijuar rregull në sistem.