Të finalizohen projektet e financuara nga KE
Komiteti i Planifikimit të Strategjive nën drejtimin e Kryeministrit Berisha mori dje në shqyrtim një seri projektesh të rëndësishme, të financuara nga Komisioni Europian, me qëllim finalizimin e tyre, në kohën më të shkurtër të mundshme. Në fjalën e tij, Berisha theksoi se Ministria e Integrimit dhe Departamenti i Koordinimit dhe të Bashkërendimit të Strategjive dhe ndihmës së huaj, në Kryeministri, i ka sjellë për një shqyrtim më të hollësishëm këto projekte, duke qenë se në komitet janë të përfaqësuar të gjitha institucionet, sidomos ato të lidhura me projektet që do të shqyrtohen. Sipas Berishës, kjo mbledhje është zhvilluar për të pasur edhe një qëndrim të ri të këtyre projekteve. “Disa prej këtyre projekteve kanë tetë vite në zbatim e sipër. është marrë me trajtimin e tyre, por kjo mbledhje duhet t’u japë përgjigje përfundimtare”, deklaroi Kryeministri Berisha. Ai deklaroi se ka projekte të cilat datojnë që nga viti 2002 apo 2003, dhe se është shumë e rëndësishme që kjo mbledhje t’u japë përgjigje të gjithë problematikës së këtyre projekteve, në mënyrë që ato të zbatohen sa më shpejt të jetë e mundur. “Në ndonjë rast mund të ketë nevojë për ndryshim të mbikëqyrjes së projektit. Në raste të tjera ka domosdoshmëri për ndërhyrje edhe në buxhetin e shtetit, sepse disa nga këto projekte datojnë që nga viti 2002 apo 2003, disa janë projekte që bashkëlidhen me projekte të tjera”, deklaroi Berisha. Sipas tij, është shumë e rëndësishme që kjo mbledhje t’u japë përgjigje të gjithë problematikës së këtyre projekteve, në mënyrë që ato të zbatohen sa më shpejt të jetë e mundur.
#