E Diel, 1 Nëntor 2026

Tahiri: Kërcënimi i Topallit u kthye shpejt në vendim gjykate

TIRANE-Deputeti Sajmir Tahiri ka reaguar menjëherë pas publikimit vendimit të Gjykatës së Tiranës që e gjobiti me 3.3 milionë lekë për deklaratat e bëra në adresë të deputetes Albana Vokshi.

Në një deklaratë shtypi, Tahiri bën të ditur se me vendimin e gjykatës u njoh vetëm përmes mediave.
“U njoha nëpërmjet mediave mbi vendimin që ka marrë gjyqtari Asim Vokshi në lidhje me padinë që ka bërë ndaj meje deputetja Albana Vokshi pse e akuzova se ajo dhe bashkëshorti i saj kanë përfituar nga koncesionet”.

Sipas Tahirit, në seancën e datës 20 të muajit tetor të këtij viti, kryeparlamentarja e kërcënoi pikërisht për këtë gjyq.
“Nuk jam njohur ende me vendimin dhe as me arsyetimin e tij, por sigurisht nuk prisja që kërcënimi i Jozefina Topallit në seancën e kaluar do kthehej kaq shpejt në vendim gjykate.
(Deklarata e Jozefina Topallit ne seancën e kaluar, Dt 20.10.2001: “Ju keni gjetur rrugën tuaj, megjithatë ju them se në gjyq do jeni njëri më datë 31 dhe tjetri më datë 26. Fletë-padinë e kam në zyrën time, nuk ka procedurë”) “.

Tahiri shpreson gjyqtari Vokshi ti shpjegojë se në cilat deklarata nuk ka thënë të vërtetën, ndërsa shton se askush nuk mund ta ndalojë personin e tij të flasë të vërtetat mbi qeveritarët.

“Një gjë është e sigurt, jo Albana Vokshi e cila është vetëm një copë e vogël e dhjamit të pushtetit, por as Jozefina Topalli e as Sali Berisha dhe pushteti i tyre i krimbur, nuk do arrijnë dot të më mbyllin gojën duke më ndaluar të them të vërtetat që shqiptarët duhet të dinë për këtë qeveri”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›