E Diel, 1 Nëntor 2026

Takim i nivelit të lartë të pesë vendeve me rritje më të shpejtë ekonomike

Kryeministri indian theksoi nevojën e gjetjes së financimeve për vendet në zhvillim, gjatë një takimi të nivelit të lartë të të ashtuquajturave vendet BRICS – pesë vendet me rritje më të shpejtë.

Duke folur sot në New Delhi, kryeministri Manmohan Singh tha se drejtuesit dhe delegatët po diskutojnë mënyrat e zgjerimit të kapitalit bazë të Bankës Botërore, si dhe një propozim për të krijuar një bankë zhvillimi, të financuar dhe drejtuar nga pesë vendet e BRICS: Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut.

"Vendet tona janë dalluar për rritje, stabilitet dhe shpresë. Gjurmët tona në botë po fitojnë shikueshmëri dhe rëndësi. Ne kemi kapacitetin për të kontribuar si duhet për zgjidhjen e sfidave globale. Forcimi i partneritetit tone është faktor i paqes dhe qëndrueshmërisë globale dhe reflekton interesat e përbashkëta të popujve tanë.''

Vendet e BRICS përfaqësojnë 40 % të popullatës botërore. Pjesëmarrësit e takimit pritet të shqyrtojnë çështje të ndryshme që nga siguria globale e deri tek rritja e bashkëpunimit financiar. Përveç krijimit të bankës së re të zhvillimit, drejtuesit pritet të njoftojnë hapat për t’i sjellë ekonomitë e tyre më pranë njëra tjetrës, përfshi lidhjen e bursave të këmbimit.

"Ne po përjetojmë zhvillime të larta ekonomike dhe politike. Jam i sigurt se ky takim i katërt I BRICS zhvillohet në kohën e duhur. Dhe sigurisht duke këmbyer pikëpamje gjatë këtij takimi, do të jemi në gjendje të kontribuojmë drejt stabilitetit politik dhe ekonomik në botë''
Gjatë viteve të fundit, vendet e BRICS kanë mbajtur një nivel të lartë rritje dhe janë bërë një forcë e rëndësishme në rritjen ekonomike globale.

(ar.si/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›