Takime të policisë në Tiranë për zgjedhjet
04/05/2005 TIRANË- Procesi i afërm zgjedhor ka mbledhur në një takim krerët e Policisë së Shtetit dhe përfaqësues monitorues. Qëllimi i këtij takimi, sipas burimeve zyrtare të Policisë së Shtetit, ishte diskutimi më në detaje i Kodit Zgjedhor dhe i Udhëzimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe akteve të tjera ligjore, veçanërisht për detyrat e punonjësit të Policisë së Shtetit për zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut 2005. Të pranishëm në këtë takim ishin përfaqësuesit e OSBE–së, Jim McCarthy, oficer për Sigurinë, Oerd Bylykbashi, Këshilltar Ligjor pranë KQZ–së në OSBE, etj. Në fjalën që mbajti para të pranishmëve në këtë takim, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit prezantoi masat e marra nga Ministria e Rendit Publik dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për të garantuar një proces zgjedhor sa më të qetë dhe demokratik. Duke vlerësuar maksimalisht rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për asociimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian, Drejtori i Përgjithshëm u shpreh ndër të tjera: ”Policia e Shtetit tashmë ka fituar një përvojë mjaft pozitive në përballimin me sukses të detyrave të ngarkuara në zgjedhjet për pushtetin vendor, të zhvilluara në vitin 2003. Vlerësimet pozitive që u bënë me këtë rast, si nga përfaqësuesit e organizmave ndërkombëtare, nga forcat politike që konkurruan në këto zgjedhje si dhe nga vëzhguesit e huaj apo vendës që i monitoruan ato, treguan se punonjësit e Policisë së Shtetit janë në gjendje të përballojnë me sukses detyra të tilla”. Caktimi i nëpunësit ndërlidhës mes Ministrisë së Rendit Publik dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte pika e cila mori vlerësimin pozitiv dhe është përgatitur projektligji “Për disa ndryshime në Ligjin nr.8553, datë 25.11.1999 ‘Për Policinë e Shtetit’, ndryshuar me ligjet nr.8933, datë 25.07.2002 dhe nr.9089, datë 26.06.2003”.