E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi Trilateral Jermiç: “Në Samitin e Sarajevës, vetëm pa Kosovën”

Autori i Lajmit: Redaksia

Serbia është shprehur kundër pjesëmarrjes së Kosovës në Samitin e Sarajevës. Sipas ministrit të Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, Kosova mund të përfaqësohet në këtë samit vetën në bazë të rezolutës 1244. Deri në orët e vona të së martës tre ministrat e jashtëm, ai i Spanjës, Miguel Anjel Morations, i Turqisë, Ahmet Davutoglu, dhe ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, kanë pasur një takim në Beograd, ku temë diskutimi kanë pasur pikërisht Samitin e Sarajevës dhe organizimin e tij. Ministrat janë takuar edhe me presidentin serb, Boris Tadiç, me të cilin kanë biseduar për marrëdhëniet në mes të vendeve të tyre, por edhe për situatën në rajon. Sipas kabinetit të presidentit serb, në këto takime është konstatuar qëllimi i përbashkët për stabilitetin në rajon, prosperitetin dhe të ardhmen evropiane. Presidenca ka bërë të ditur se me ministrin Davutoglu, është rënë dakord se marrëdhëniet Serbi - Turqi janë të mira, e sidomos në aspektin ekonomik. Ndërkaq Tadiç ka falënderuar Spanjën për mbështetjen në integrim dhe për mosnjohjen e “pavarësisë ilegale të Kosovës dhe Metohisë”.
Takimi trilateral
Gjatë takimit të përbashkët, tre ministrat, Moratinos, Ahmet Davutoglu dhe Jeremiç, megjithëse janë zotuar se do të bëjnë gjithçka për ta zgjidhur këtë problem, deri tani zgjidhje nuk ka pasur. Ata kanë thënë se është e rëndësishme që samiti i ardhshëm i Bashkimit Evropian me atë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në Sarajevë, më 2 qershor, të jetë i organizuar sa më mirë. Shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç, edhe pse ka premtuar se Serbia do të mundohet të ndihmojë, nuk ka thënë se çfarë do të ishte e pranueshme për Serbinë, përveç faktit se Kosova nuk duhet të paraqitet si shtet. “Nëse ne nuk mund të gjejmë zgjidhje, askush nuk mundet”,- ka thënë Jeremiç. Ministrat janë pajtuar se e ardhmja e vendeve të rajonit është në Bashkimin Evropian dhe me forca të përbashkëta. Moratinos, vendi i të cilit drejton Presidencën e BE-së ka thënë se qëllimi i takimit është për organizimin e samitit. Serbia kundërshton pjesëmarrjen e zyrtarëve nga Kosova në takime rajonale si shtet dhe shpesh ka refuzuar të marrë pjesë në takime të rëndësishme për shkak të zyrtarëve kosovarë. Por, bojkoti i samitit të Bërdos afër Kranjit ka alarmuar BE-në. “Serbia do të bëjë gjithçka në mënyrë që çështjet e hapura të zgjidhen. Ne do të ndihmojmë që samiti të jetë i suksesshëm”,- ka thënë Jeremiç, duke shtuar se Spanja, Serbia dhe Turqia kanë vlera të përbashkëta dhe interesim për integrimet evropiane.
Samiti
Sipas Jeremiçit, për samitin e Sarajevës ekzistojnë probleme dhe në takim është biseduar për këtë problem. Por, sipas tij, nuk ekzistojnë pajtueshmëri për të gjitha problemet. “Turqia për dallim prej Spanjës dhe Serbisë ka njohur pavarësinë e Kosovës”,- ka kujtuar ai. Por, kjo sipas Jeremiçit, nuk pengon Serbinë që në të ardhmen të punohet dhe të bashkëpunohet për të arritur prioritete rajonale dhe integrimin e të gjithëve në Bashkimin Evropian. Ndërkaq sipas ministrit Davutoglu, Turqia është e lumtur të ndihmojë për zgjidhjen e këtij problemi dhe beson se Serbia ka një rol të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

Ky lajm është publikuar: 22/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›