Takimi "Miqtë e Sirisë", protesta nga mbështetësit e al-Asad

Qindra mbështetës të presidentit sirian Bashar al-Asad kanë tentuar të hyjnë më forcë në një hotel në Tunis, ku janë mbledhur liderë perëndimorë dhe arabë për t`i kërkuar Sirisë ndaljen e aksioneve kundër opozitës.
Sipas raporimeve një turmë, e cila ka mbërritur me autobusë në Hotel Palace, në një periferi të Tunisit, është munduar që të depërtojë në portat e hotelit, por policia i ka kthyer mbrapsht.
Zyrtarë të lartë nga më shumë se 60 shtete, përfshirë edhe sekretaren amerikane të shtetit, Hillari Klinton, kryediplomaten evropiane Kethrin Eshton dhe ministrin e jashtëm francez Alen Zhype janë mbledhur në Tunizi në konferencën “Miqtë e Sirisë”.
Më herët, diplomatët e Bashkimit Evropian kanë listuar shtatë ministra të Sirisë që do të jenë në shënjestër të sanksioneve të BE-së, për shkak të aksioneve vdekjeprurëse ndaj protestuesve.