E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi me Saninon, Topi: Politika i ka lexuar mesazhet e Brukselit

TIRANË Brenda një periudhe të shkurtër kohore, drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefano Sanino, ka mbërritur për herë të dytë në Tiranë, në përpjekje të gjetjes së një konsensusi mes dy partive politike në vend. Sanino është takuar dje me kryetarin e opozitës, Edi Rama, dhe me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Zyra e shtypit e Presidencës ka zbardhur dje takimin e zhvilluar, ku Kreu i Shtetit ka vënë në dukje se klasa politike shqiptare, edhe pse është ende e përfshirë në vorbullën e debatit dhe retorikës politike për çështje të ditës, i ka lexuar qartë mesazhet e Brukselit lidhur me përparimin integrues europian të Shqipërisë dhe reformat e domosdoshme në këtë drejtim. Presidenti i Republikës shprehu besimin se, pavarësisht vështirësive për gjetjen e rrugëve të një bashkëpunimi konkret dhe të menjëhershëm, përmes edhe vendosjes së urave të përbashkëta të komunikimit dhe dialogut institucional, klasa politike shqiptare do të dijë të reflektojë dhe të vendosë si përparësi të agjendës së saj politike interesat madhore të qytetarëve shqiptarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›