E Shtunë, 31 Tetor 2026

Talebanët refuzojnë ofertën e Karzait për paqe

Militantët talebanë në Afganistan kanë refuzuar sot ftesën më të re për paqe të presidentit të Afganistanit, Hamid Karzait, përkundër trysnisë më të cilën po përballen për shkak të ofensivës së NATO-s dhe arrestimit të njeriut numër dy të kësaj lëvizje.

Karzai të shtunën ripërsëriti thirrjen drejtuar talebanëve, që ata të pranojnë propozimin e tij për paqe.

Gjatë konferencës për Afganistanin, e cila u zhvillua në janar në Londër, shtetet donatore mbështetën planin e Karzait për negociata me ata militantë, të cilët heqin dorë nga dhuna dhe premtuan një ndihmë prej disa qindra miliona dollarë, për të bindur militantët që të dorëzojnë armët e tyre.

Talebanët deri me tani në vazhdimësi kanë refuzuar thirrjet për paqe të Karzait, duke thënë se fillimisht forcat e huaja duhet të largohen nga Afganistani.

“Karzai është një kukull, ai nuk mund të përfaqësojë vendin apo qeverinë tonë”, deklaroi zëdhënësi i talebanëve, Qari Yousuf, duke komentuar ofertën e Karzait për paqe.

“Ai është i zhytur në korrupsion dhe i rrethuar nga komandantët e luftës, të cilët po pasurohen”, shtoi ai.

Këtë muaj, tre zyrtarë të lartë talebanë janë arrestuar në Pakistan, përfshirë edhe zyrtarin numër dy të kësaj lëvizje, Abdul Gani Baradarin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›