E Diel, 1 Nëntor 2026

Vasili: Në shtator, të nisë reforma zgjedhore

LSI apelon ndaj forcave politike për nisjen e punës me sugjerimet që kanë ardhur nga ndërkombëtarët


Duke parë zhvillimet politike dhe rolin e veçantë që kanë zgjedhjet dhe standardet e tyre, Lëvizja Socialiste për Integrimi shprehu dje serish shqetësimin për çështjen e reformës zgjedhore. Në një deklaratë për shtyp, nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, deklaroi se e gjithë politika ka konsumuar me qindra deklarata, ka shpërthyer me një patos të jashtëzakonshëm për nevojën e standardeve gjithmonë e më të mira zgjedhore.


Por, sipas tij, ai që është momenti i rëndësishëm që demonstron vullnetet e mira e që ka të bëjë me arritjen e këtyre standardeve dhe që është reforma zgjedhore, këtij impenjimi po i shmangen në mënyra të ndryshme.


"Ne jemi këtu për të bërë apel edhe një herë dhe për të vazhduar të vihemi në dispozicion në vend të parë për atë që ka qenë gjithmonë si kredo e LSI-së për mbajtjen e zgjedhjeve të gjithmonë e më të mira dhe me standarde më të larta, për të filluar sa më parë reformën zgjedhore", -apeloi Petrit Vasili.


Nënkryetari i LSI-së shprehu besimin se "sezoni i ri politik, i cili normalisht starton në shtator, duhet të ketë si kryefjalë të tij nisjen e punës intensive për një reformë zgjedhore sa më të mirë duke nisur punën me sugjerimet që kanë ardhur nga ndërkombëtarët OSBE-ODIHR-i dhe faktorë të tjerë që sigurojnë parametrat të tjerë të zgjedhjeve në Shqipëri".


Sipas tij, parametra të një Shqipërie, që duke qenë tashmë një vend evropian dhe ku qytetarët do të lëvizin lirshëm në Evropë, sigurisht që duhet të ketë dhe zgjedhjet që meriton.


"Të gjitha partitë duhet të ulen në tavolinën e bisedimeve të thella dhe reflektimeve dhe çdo shmangieje nga kjo, apo klithmë demagogjike për përmirësim zgjedhjesh pa përmirësuar ligjin zgjedhor dhe pa reflektuar rekomandimet e ndërkombëtarëve dhe çdo gjë që nuk ka shkuar mirë në zgjedhje besojmë se këto mbeten vetëm klithma demagogjike, që nuk kanë të bëjmë me thelbin apo me shqetësimin për të pasur zgjedhje më të mira në Shqipëri", -vlerësoi zyrtari i lartë i LSI-së, Petrit Vasili.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›