E Shtunë, 31 Tetor 2026

Task-Forca, skaner pasurive të firmave “Fisheku” e “Euroil”

17/03/2011  Kërkohet informacion nga bankat, zyra e Pasurive të Paluajtshme dhe QKR-ja

TIRANE-Pas arrestimit të 13 personave si të dyshuar për kryerjen e kontrabandës së naftës virgine dhe sekuestrimit të dhjetërave dokumente që vërtetojnë këtë aktivitet, radha i ka ardhur verifikimit të pasurisë së biznesmenëve dhe doganierëve të arrestuar. Nëpërmjet një kërkese drejtuar bankave të nivelit të dytë, njësia antikorrupsion pranë Prokurorisë së Tiranës kërkon të mësojë lidhur me llogaritë bankare që rezultojnë në emër të biznesmenëve Iljaz Fisheku, Hajri Elezaj dhe disa prej doganierëve të arrestuar lidhur me kontrabandimin e mijërave tonelatave nafte virgine. Shkresa e Prokurorisë i është dërguar pak ditë më parë bankave, të cilat pritet që në ditët në vazhdim të kthejnë përgjigje zyrtare lidhur me asetet financiare, që do konstatojnë në emër të personave të arrestuar. Ndërkohë që hetimi është shtrirë dhe në verifikimin e plotë të gjithë bizneseve të dy biznesmenëve të arrestuar, ku në këtë drejtim Prokuroria ka kërkuar informacione nga QKR-ja. Nga informacionet paraprake të marra nga hetuesit e çështjes, rezulton se pjesën më të madhe të parave të fituara nga shitja e naftës virgine, biznesmenët e kanë investuar në kapitale, duke ndërtuar depozita karburantesh, apo marrë me qira objekte për zyra dhe pika karburanti. Investigimi 5-mujor ka treguar se shumë nga pikat e karburantit të “Euroil” dhe “Fisheku” janë marrë me qira nga kompanitë e tjera. Gjithashtu ekzistojnë dyshime të arsyeshme se shuma të konsiderueshme janë mbyllur në shtete të huaja. Ndërkohë që për të sqaruar të gjithë veprimtarinë kriminale, në ditët në vazhdim hetuesit e çështjes të marrin në pyetje personat e arrestuar. Lidhur me këtë çështje aktualisht hetimet vazhdojnë me intensitet të lartë, ku persona të tjerë të dyshuar pritet të arrestohen. Prova më e fortë e Prokurorisë për të faktuar aktivitetin kriminal është dëshmia e ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, i cili ka pohuar se para prokurorëve të gjitha segmentet dhe kompanitë e naftës që gjatë viteve 2007-2009 kryenin kontrabandimin e naftës virgine.

Apelohen masat e sigurisë

13 të arrestuarit e Prokurorisë kanë apeluar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë duke kërkuar lirinë. Sipas pretendimit të avokatëve mbrojtës, vepra penale që klientët e tyre kanë kryer nuk përbën rrezikshmëri të lartë në shoqëri dhe për pasojë ligji parashikon masa më të buta. Avokatët shprehen se brenda kësaj jave do ti drejtohen Gjykatës së Apelit, ku do i kërkojnë kësaj të fundit lirimin nga burgu të klientëve të tyre. Ndërkohë që nga ana tjetër prokuroria, do kërkojë lënin e tyre në qelitë e burgut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›