E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tatarzinska per AS Integrimi mos humbisni kohe

Taulanta Boja: Mendoni se rikthimi i opozitës në parlament do të përfshihet në raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë?

Irena Tatarzinska: Mirëmëngjes! Ju falenderoj shumë për ftesën! Eshtë kënaqësi t’ju përgjigjem të gjitha pyetjeve tuaja. Në lidhje me kthimin e opozitës në parlament, do të thoja se pjesëmarrja e opozitës në punët e parlamentit është diçka e zakonshme në çdo vend demokratik. Parlamenti është një platformë rutinë e dialogut, bashkëpunimit dhe vetëkontrollit mes qeverisë dhe opozitës. Fatkeqësisht, që nga zgjedhjet e fundit parlamentare në 2009, ky element i domosdoshëm i demokracisë ka munguar në Shqipëri. Pra, në këtë kontekst, kthimi i opozitës në parlament është një sinjal shumë pozitiv. Ky është hapi i parë konkret, i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Dhe ne besojmë se pas këtij hapi të parë, do të ketë një hap tjetër... me këtë nënkuptoj, se do të ketë veprime reale, ku përfshihet dialogu konstruktiv mes opozitës dhe qeverisë, si dhe adresimi i reformave, kaq shumë të nevojshme. Dua të theksoj diçka... Unë e vlerësoj progresin që populli shqiptar dhe qeveria shqiptare kanë bërë deri tani, por gjithsesi, ka ende shumë për të bërë... Tani për tani, çështja më urgjente është adresimi i 12 rekomandimeve  të Komisionit Europian dhe rekomandimet e raporteve të OSBE/ODIHR-it pas zgjedhjeve të fundit dhe pas zgjedhjeve të fundit parlamentare... ne i trajtojmë këto rekomandime së bashku. Nëse më pyesni se a do të reflektohet hyrja e opozitës në parlament në progres raportin e fundit... nëse ky kthim do të mbështetet nga veprime konkrete, nga dialogu konstruktiv, i cili duhet të çojë në reforminin e mëtejshëm të vendit, atëherë sigurisht që kjo do të pasqyrohet në raportin përfundimtar të Komisionit Europian.

Taulanta Boja: Për shkak të ngërcit politik 12 rekomandimet e Komisionit Europian, që kanë të bëjnë me procesin e integrimit të vendit kanë mbetur të paplotësuara, a duhet të presim një vlerësim negativ në tetor?

Irena Tatarzinska: 12 rekomandimet  e Komisionit Europian përbëjnë pjesën thelbërsore të raportit. Pra, adresimi i këtyre 12 instruksioneve është vendimtar për vlerësimin e progresit të Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.

Taulanta Boja: Mendoni se kthimi i opozitës në parlament mund të bëjë diferencën, pra nëse raporti nga negativ nëse është i tille të përmbaj vlerësime pozitive?

Irena Tatarzinska: Siç e përmenda edhe më parë, prania e opozitës në parlament është jashtëzakonisht e domosdoshmë në funksionimin normal të demokracisë. Kjo është e para... Por dua të theksoj se unë nuk po flas për praninë fizike, por për praninë aktive... Kjo nënkupton bashkëpunim mes qeverisë dhe opozitës. Kjo nënkupton që dy palët të diskutojnë nevojat më urgjente dhe pastaj të votojnë ligjet që kërkojnë një shumicë të cilësuar. Ata duhet të sigurojnë shumicën e cilësuar në parlament në mënyrë që të miratojnë reformat kaq shumë të domosdoshmë për përparimin e Shqipërisë. Prania e opozitës në parlament është absolutisht e domosdoshme. Shqipëria nuk po i përmbush etapat në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian. Ky është një çast shumë i rëndësishëm. Tashmë Shqipëria ka humbur dy vjet. Ajo nuk ka mundur t’i përgjigjet pozitivisht këtyre kushteve. Ajo që dua të theksoj është se këto kushte nuk kanë për qëllim të vështirësojnë jetën e tyre, por është krejt e kundërta... ato kanë për qëllim të ndihmojnë në funksionimin normal të demokracisë. Kjo gjithashtu nënkupton përmirësimin e standardit të jetesës të çdo shqiptari.

Taulanta Boja: A mund të ndodhë që më 12 tetor, të marrim një përgjigje pozitive lidhur me aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian?

Irena Tatarzinska: Nuk ka mbetur shumë kohë deri në publikimin e progres raportit. Bëhet fjalë për më pak se një muaj. Por gjithsesi, pista është e juaja... Shqipëria duhet të fillojë të votojë në parlament reformat e nevojshme. Sigurisht, botimi i progres raportit të ardhshëm është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe urgjent. Aktorët kryesorë të politikës duhet të nxitojnë për realizimin e këtyre reformave. Unë mendoj se ka ardhur koha që politikanët shqiptarë ta shndërrojnë integrimin europian në prioritetin e prioriteteve... ata duhet ta konsiderojnë atë si një qëllim kombëtar. Unë e di se të gjitha forcat politike në Shqipëri e deklarojnë integrimin europian si një përparësi, dhe kjo është vërtetuar në sondazhe edhe nga shoqëria shqiptare përmes një përqindjeje shumë të lartë. Kjo është diçka shumë e pazakontë. Pra, ky proces mbështetet fort nga njerëzit e zakonshëm. Ne, si Bashkimi Europian, i inkurajojmë politikanët shqiptarë dhe shoqërinë civile të jenë aktivë në këtë drejtim, dhe të konsiderojnë 12 rekomandimet e Komisionit Europian dhe rekomandimet e ODIHR-it...dhe  t’i bëjnë zgjedhjet e ardhshme të pranueshme nga të gjitha palët, në mënyrë që të mos ketë asnjë ankesë. Por për këtë nevojitet reforma në Kodin Elektoral... nevojitet dialogu konstruktiv, në mënyrë që politikanët të përqëndrohen tek kjo nevojë urgjente.

Taulanta Boja: Polonia mban aktualisht presidencën e radhës së Bashkimit Europian. Si ju mund ta mbështesni Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit europian? 

Irena Tatarzinska: Një nga qëllimet e Presidencës polake është të arrijë progres në politikën e zgjerimit, përfshirë edhe vendet e Ballkanit perëndimor. Që nga fillimi i ndryshimeve demokratike në Shqipëri, Polonia ka qenë një mbështetëse shumë e fortë e Shqipërisë në rrugën e saj drejt reformave dhe në rrugën e ndryshimeve demokratike. Kjo është bërë përmes projekteve dhe programeve të ndryshme. Që nga ajo kohë, nuk ka asnjë ndryshim në pozicionin tonë...  Dhe tani me presidencën e Bashkimit Europian zëri ynë është edhe më i fuqishëm... Ne po shprehim qëllimin tonë, i cili është vazhdimi i procesit të zgjerimit, si dhe sigurisht të vazhdojmë programin e presidencës së mëparshëm, asaj hungareze, për liberalizimin e vizave në vendet e Ballkanit dhe Shqipëri. Tani i takon Shqipërisë të përshpejtojë procesin e integrimit europian. Si Presidenca aktuale e Bashkimit Europian, ne e inkurajojmë elitën politike në Shqipëri të bëjë përpjekjet fillestare për t’i dhënë një shtysë procesit të integrimit, si dhe ta shndërrojnë integrimin në Bashkimin Europian në një prioritet kombëtar. Faleminderit!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›