E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet, 150 subjekte nuk paguajnë sigurimet, 17 ndiqen penalisht

17/07/2009  ELBASAN-Zyrat e Tatim Taksave në Elbasan kanë nisur procedurën e ndjekjes penale për subjektet, të cilat nuk paguajnë sigurimet shoqërore apo dhe që akuzohen për evazion fiskal. Drejtoria që mbetet totalisht e angazhuar edhe në këtë muaj të nxehtë pushimesh është ajo e Tatimeve. Në fakt punonjësve u kanë hequr të drejtën të marrin pushime në këtë periudhë për shkak të ngarkesës në grumbullimin e të ardhurave dhe të tatimeve nga biznesi.

Qëndrimi

Kreu i Tatimeve në Elbasan deklaron se nuk ka shfaqje të krizës, por ka biznese që nuk kanë shlyer detyrimet në 6 muajt e parë të këtij viti. Nga ana tjetër ai tërheq vëmendjen për një mungesë të rakordimit me bashkinë për të pasur një pasqyrë të plotë se sa biznese paguajnë taksat dhe sa nuk shlyejnë sigurimet shoqërore. Skënder Daja tha se ka një diferencë prej 150 subjektesh aktualisht për këto pagesa. “Në biznesin e vogël mund të themi se ka subjekte që në tre mujorin e parë nuk kanë deklaruar sigurimet dhe të cilët normalisht në bazë të procedurave tatimore ndiqen nga ana jonë duke bërë kontakte për shlyerjen e detyrimeve të papaguara ku futen edhe kontributet për sigurimet shoqërore. Ka biznese që janë hapur 6-mujorin e parë dhe mund të kenë mbyllur aktivitetin e tyre. E them këtë sepse nuk ka një rakordim normal midis Bashkisë Elbasan dhe degës së Tatimeve”, thekson ai.

Ndjekjet penale

Ndërsa dhe evazioni fiskal mbetet problem themelor. “Për biznesin e vogël nuk kemi pasur raste, ndërsa për biznesin e madh kemi ndjekur procedurat tatimore. Janë rreth 17 subjekte që nuk kanë derdhur detyrimet prej vitesh. Ndaj dhe për ta ka nisur procedura e ndjekjes penale në akuzën për shmangie dhe evazion fiskal”, nënvizon Daja. Kreu i Tatimorëve tha gjithashtu se nuk ka pasur falimentime dhe mbyllje të firmave të ndikuara nga kriza ekonomike. “Po t’i referohemi shifrave duhet thënë se ka një rritje të mbylljes së aktivitetit, sidomos të biznesit të vogël. Ndërsa biznesi i madh mund të them se Elbasani ka një rritje më pozitive dhe më reale të biznesit të madh. Ka shtim të numrit të punonjësve dhe asnjë biznes i madh nuk është mbyllur.

Situata ekonomike

Në Elbasan janë vërejtur mbyllje dhe lëvizje të biznesit të vogël, që mund të lëvizin duke qenë se marrin ambiente me qira e mund të kalojnë në një tjetër zonë dhe jo në vendin e deklaruar të aktivitetit. Nga ana e tatimeve po bëhet një ndjekje e kujdesshme për subjektet që ndërrojnë vendin e aktivitetit të tyre. “Ne kemi realizuar rreth 80% më shumë të ardhura se viti 2005 nëse bëhet një krahasim mes gjashtëmujorit të parë të vitit 2005 me atë të 2009. Kjo tregon se biznesi ka funksionuar normalisht dhe nuk është ndikuar as nga politika”, tha Daja. Ai konfirmoi se brenda vitit do të pajisen me kasa regjistruese subjektet e biznesit të madh, ndërsa vitin që vjen ato të biznesit të vogël. Në Elbasan regjistrohen gjithsej 1200 subjekte të biznesit të madh dhe 6000 subjekte të biznesit të vogël.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›