Tatimet, 7.2 milionë lekë gjoba për punën e zeze
Kontrollet:
-Janë kontrolluar gjithsej 1141 subjekte.
-Janë bllokuar për mosregjistrim në organin tatimor 41 subjekte.
-Janë bllokuar 47 leje qarkullimi.
-Janë vendosur gjithsej 131 gjoba me vlerë 8 226 000 lekë.
-Janë vendosur 115 gjoba me vlerë 7 270 000 lekë për mos regjistrim të 727 punonjësve
-Janë vendosur 16 gjoba me vlerë 956 000 lekë për TVSH-në.
Teuta Shamku
Puna e zezë është vënë në qendër të kontrolleve të punonjësve tatimorë.
Prej disa javësh subjektet e ndryshme janë vënë në vëmendje të kontrolleve të administratës tatimore për të zbuluar punonjësit e pasiguruar. Nga këto kontrolle janë zbuluar rreth 727 punonjës të pasiguruar dhe janë vënë rreth 7.2 milionë lekë gjoba ndaj subjekteve që kanë pasur punonjësit e padeklaruar. Burimet zyrtare të tatimeve bënë me dije dje se në periudhën qershor 2008, grupet e Task Forcës kanë ushtruar kontroll në rrethin e Tiranës duke verifikuar subjektet për regjistrimin e tyre në organin tatimor dhe deklarimin e punonjësve për sigurime shoqërore. Janë kontrolluar kryesisht subjekte me aktivitet Fason dhe Ndërtim. Gjithashtu, janë ushtruar kontrolle në transport për regjistrimin në organin tatimor dhe lëvizjen e dokumentuar të mallrave, në akset rrugore hyrëse të qytetit të Tiranës. Në qytetin e Durrësit dhe të Vlorës janë ushtruar kontrolle në subjekte me aktivitet ndërtim, në transport në akset hyrëse të qytetit, për regjistrimin e subjekteve në organin tatimor dhe deklarimin e punonjësve për sigurime shoqërore.
Në zonat e plazhit janë kryer kontrolle në subjekte me aktivitet bar-restorant-hotel dhe ndërtim. Kontrolle janë kryer dhe në rrethet Fier, Elbasan, Pogradec, Devoll, Korçë, Sarandë, Delvinë, Gjirokastër, Kurbin, Lezhë, Shkodër, Bulqizë dhe Dibër. Grupet e Task Forcës kanë kontrolluar subjektet për regjistrimin e tyre në organin tatimor në degët përkatëse dhe kanë bërë kontrolle në transport në akset kryesore. Janë kryer kontrolle në rrethet Bulqizë dhe Mat për verifikimin e subjekteve me aktivitet “prodhim-tregtim kromi”. Ndërkaq, tatimet kanë konfiskuar cigare dhe pije alkoolike. Janë kryer 24 sekuestrime, nga të cilat në masë të madhe kanë qenë pijet alkoolike (1542 litra). Janë sekuestruar gjithashtu edhe mallra si kafe, aparate celularë, pllaka shtrimi qeramike, detergjente, vaj, ujë, kremra të ndryshëm, tapete. Është mbajtur 1 Akt Verifikimi në Fier, 2 në Sarandë, 2 në Korçë, 2 në Devoll, 2 në Kurbin dhe 2 në Shkodër. Është propozuar 1 subjekt në Lushnjë për gjobë 1.000.000 lekë për moslejim kontrolli.
Duke u bazuar në rezultatet e mësipërme dhe krahasuar me muajt e mëparshëm, është vënë re një rritje e performancës dhe rezultateve të punës së këtij sektori.
Projektet e rrugëve rurale mbledhin ndërtuesit
Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) do të organizojë gjatë ditës së sotme një takim informues me firmat e ndërtimit të rrugëve, të interesuara për t'u bërë pjesë e projektit “Përmirësimi i Rrugëve Dytësore e Lokale ne Shqipëri”, një projekt i qeverisë shqiptare, me donator kryesor Bankën Botërore. Takimi do të zhvillohet në kuadër të konsultimeve publike që FSHZH-ja dhe Banka Botërore kanë ndërmarre lidhur me këtë projekt, duke synuar në veçanti rritjen e transparencës dhe shtimin e shanseve për konkurrencë të barabartë gjatë procesit të prokurimit. Në këtë takim, ku do të jenë të pranishëm edhe drejtues të FSHZH-së si dhe përfaqësues të Bankës Botërore, do të diskutohet mbi objektivat e projektit; procesin e përzgjedhjes dhe listën e objekteve që do të zbatohen; procedurat e prokurimit etj. Projekti i ri, që parashikon të përfshijë deri 1000-1500 km rrugë rajonale dhe lokale, ka si qëllim përmirësimin e aksesit në shërbimet bazë në shërbim të zhvillimit ekonomik për popullsinë rurale. Vlera totale e projektit llogaritet në rreth 420 milionë USD dhe në projekt do të përfshihen një sërë donatorësh si Banka Botërore, Bashkimi Evropian, Banka Japoneze për Zhvillim Ndërkombëtar, Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës, Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, Banka Evropiane e Investimeve etj.