E Shtunë, 31 Tetor 2026

BB, 64.8 milionë për rrugët, digat e katastrofat

Nënshkruhen tri marrëveshje prej 64.87 milionë dollarësh me Bankën Botërore për projektin e rrugëve dytësore dhe lokale, sigurinë e digave dhe përballimin e katastrofave.

Ministri i Financave, Ridvan Bode, nënshkroi dje tri marrëveshjet. Në tërësi portofoli i kredive të nënshkruara sot është 64,87 milionë dollarë dhe financohen nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) dhe Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD). Gjatë fjalës së tij, pas nënshkrimit të marrëveshjeve, ministri i Financave, Bode, duke falënderuar Bankën Botërore për angazhimin e saj në këto projekte, shprehu besimin se qeveria do të mund të sigurojë edhe fonde të tjera për realizimin e projektit të rrugëve rurale. "Pjesë e këtij projekti do të jenë dhe donatorë të tjerë, të cilët tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre siç janë, Fondi i OPEC-ut me 15 milionë euro, BE-ja nga fondet e IPA-s për vitin 2008 me 8 milionë euro dhe jemi duke negociuar me Bankën Ndërkombëtare të Zhvillimit dhe me Bankën Japoneze, JBIC, të cilat do të financojnë pjesën tjetër të projektit", - theksoi ministri Bode. Përfaqësuesja e zyrës së Bankës Botërore në Tiranë, Camille Naumah, e cila nënshkroi në emër të BB-së, theksoi se Shqipëria ka arritur sukses me rastin e IDA-s dhe tashmë ka siguruar kalimin në fazën e kreditimit me terma tregtarë. "Në më pak se dy dekada vendi ka kaluar nga një vend me të ardhura të ulëta, në një vend me të ardhura të mesme. Ky është një zhvillim, i cili nuk mund të nënvlerësohet", - u shpreh Naumah. Më tej, Naumah cilësoi se ky është një progres për të cilin të gjithë shqiptarët duhet të jenë krenarë. "Dua të falënderoj sërish qeverinë dhe partnerët tanë të zhvillimit, që u bashkuan me ne në këtë rrugë me Shqipërinë dhe dua të përgëzoj qytetarët shqiptarë sot për këtë zhvillim kaq të rëndësishëm", - deklaroi Naumah.

Miratohen kriteret për shfrytëzimin e burimeve minerare

Personat që do të merren me shfrytëzimin e pasurive minerare duhet t'u nënshtrohen procedurave të testimit para komisioneve përkatëse. Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e djeshme kriteret që duhet të plotësojnë këta persona fizikë dhe juridikë, për t’u pajisur me leje profesionale për projektimin, konsulencën, vlerësimin, monitorimin dhe drejtimin teknik të veprimtarisë së shfrytëzimit të burimeve minerare. Sipas këtij vendimi, personat fizikë dhe juridikë, të cilët për veprimtarinë e shfrytëzimit minerar duhet të pajisen nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore me leje profesionale, sipas kategorive drejtues teknik, inxhinier projektues, duhet t'u nënshtrohen procedurave të testimit para komisionit përkatës. Ndërkohë, organizimi i procedurave, përbërja e komisionit të testimit dhe pagesa e anëtarëve të këtij komisioni, përcaktohen në rregulloren e miratuar nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, thuhet në vendimin e qeverisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›