E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Alfa Group”, interes për investime në Shqipëri

Konsorciumi i njohur “Afla Group” shpreh interes për të investuar në Shqipëri në projekte në fushën e energjisë atomike, bioteknologji dhe në “Nano Technology”, një teknologji e njohur për prodhimin e pajisjeve të vogla elektronike, fokusuar në fushën atomike. Gjatë një takimi me Kryeministrin Berisha “Alfa Group” sugjeroi krijimin në Shqipëri të një qendre kërkimore-shkencore në fushën e “Nano Technology”, si dhe ndërtimin e një impianti për prodhimin e produkteve të kësaj teknologjie. Kryeministri Berisha falënderoi përfaqësuesit e “Alfa Group” për projekt-idetë dhe i informoi se për projektet në fushën nukleare, Shqipëria po përgatit kuadrin ligjor që do të pasohet me përfundimin e nënshkrimit të marrëveshjeve dhe me ngritjen e strukturave përkatëse. Kryeministri Berisha pohoi se në fazën e dytë do të diskutohet për këtë sipërmarrje që mund të ofrohet si investim publik, rezultat i marrëveshjeve rajonale ose si investim privat. Kryeministri Berisha tha se qeveria e tij po i hap rrugën Shqipërisë të përdorë edhe këtë burim si alternativë energjie.

Inspektohen tregjet e shitjes së produkteve blegtorale

Grupe të inspektimit ushqimor kanë ndërmarrë kontrolle intensive për gjendjen e tregut blegtoral dhe mishit të shpendëve në të gjithë vendin, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit dhe sigurisë ushqimore. Sipas specialistëve të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit nga kontrollet e ushtruara gjatë këtij sezoni veror, është ndaluar shitja e produkteve blegtorale të paambalazhuara dhe pa certifikatën e kontrollit të cilësisë. Gjithashtu, është parashikuar gjobitja e tregtarëve të palicencuar dhe të papajisur me leje shëndetësore. Sipas burimeve të mësipërme, mësohet se produktet blegtorale do të lejohen të shiten vetëm në njësitë e rregullta tregtare, ndërkohë që është ndaluar shitja e shpendëve të gjallë. MBUMK-ja bën të ditur se të njëjtat kritere do të ndiqen edhe për tregtimin e prodhimeve shtazore dhe detare, të cilat janë më të rrezikuarat nga temperaturat e larta.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›