E Diel, 1 Nëntor 2026

Shehu: Investimet thithin 300 milionë dollarë të buxhetit shtesë

Buxheti suplementar:

14 miliardë lekë nga taksat e tatimet

125 milionë euro nga shitja e ARMO-s

Të ardhura nga privatizime të tjera (OSSH)

Buxheti shtesë llogarit rreth 380-400 milionë dollarë

Si do të përdoret:

300 milionë dollarë për investime

95 për qind për investime publike

80 për qind e investimeve për rrugët

7-8 miliardë lekë për mbulimin e borxhit

Në 6-mujorin e dytë 2008 rritet fondi i investimeve, kryesisht për ato në infrastrukturë. Kjo bëhet e mundur nga buxhetit suplementar, i cili pritet së shpejti të kalojë në qeveri për miratim. Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, në një intervistë për “standard” ka zbardhur shifrat e buxhetit shtesë dhe skemën se si ndahet ky buxhet sipas zërave të veçantë. Ndryshe nga buxheti shtesë i vitit të kaluar, ku pjesa më e madhe e fondit është siguruar nga të ardhurat e privatizimeve strategjike, kryesisht nga shitja e Albtelekomit dhe më pak nga të ardhurat e taksave dhe tatimeve, këtë vit buxheti suplementar kryesisht sigurohet nga rritja e të ardhurave nga taksat dhe tatimet.

Sipas zëvendësministrit Shehu, nga të ardhurat nga tatimet e taksat janë 14 miliardë lekë, pjesa tjetër e buxhetit shtesë do të sigurohet nga privatizimi i sektorëve strategjikë, ku është përfshirë vlera prej 125 milionë eurosh që është siguruar nga shitja e kompanisë ARMO.

Keni bërë gati një projekt për buxhetin suplementar për vitin 2008. Sa është vlera e këtij buxheti?

-Projekti që po përgatitet për t’u çuar në qeveri ka një shtesë në buxhetin ekzistues prej 14 miliardë lekësh pa përfshirë privatizimet strategjike, por vetëm efektet në arkëtimet e tatimeve dhe taksave ose tejkalimet nga këto administrata. Veç kësaj, ne kemi edhe një fond tjetër që presim t’i shtohet këtij buxheti shtesë nga privatizimet tragjike, ku deri tani kemi të konfirmuar shitjen e ARMO-s, e deklaruar publikisht rreth 130 milionë euro, e cila do përdoret 50 për qind për investime dhe 50 për qind për uljen e stokut të borxhit, ndërkohë janë dhe një sërë privatizimesh në proces, siç është INSIG-u, aksionet në Bankën e Bashkuar aksionet në AMC dhe po kështu, është bërë dhe njoftimi i privatizimit të KESH-it, që mund të realizohet këtë vit, këtë vit ndoshta, por ka gjasa edhe për vitin që vjen.

Pak ditë më parë Kryeministri Berisha deklaroi që vlera e buxhetit suplementar mund të shkojë rreth 300 milionë dollarë?

-Po, rreth kësaj shifre shkon, që sigurohen ashtu siç thashë nga tejkalimet e taksave si dhe nga privatizimet strategjike që presim të realizohen në 6-mujorin e dytë 2008. Këto 125 milionë euro është privatizimi i konfirmuar i ARMO-ja dhe shifra 14 miliardë lekë nga taksat, po ta kthesh në dollarë shkon në 180 milionë dollarë, pra i gjithë buxheti shtesë shkon më shumë se 300 milionë dollarë. Ndërsa vlera e shitjes së ARMO-s 125 milionë euro, bëjnë rreth 180 milionë dollarë. E gjitha shkon rreth 380 apo 400 milionë dollarë dhe po të heqim pjesën që e kalojmë për të zbutur borxhin, ajo që ka deklaruar Kryeministri, pra shifra 300 milionë, është vetëm investime.

Pra në buxhetin shtesë, shifra 300 milionë dollarë është shuma e investimeve që do të realizohen duke i konsideruar të dy burimet, edhe tejkalimet nga tatimet dhe taksat, edhe të ardhurat nga privatizimet strategjike.

Buxheti suplementar në zëra, si do të ndahet për këtë vit?

-Rreth 95% ose dhe më shumë do të jetë vetëm për investime dhe brenda investimeve 80 për qind do të jetë për rrugët kombëtare.

Është për të gjitha rrugët apo një zë i veçantë do të jetë për rrugën Durrës - Kukës?

-Për të gjitha projektet e rrugëve, por duke përfshirë dhe rrugën Durrës - Kukës,

Pra një pjesë i merr kjo rrugë e rëndësishme dhe pastaj do të kenë prioritet të gjithë rrugët kombëtare, segmentet duke filluar nga Fier - Vlorë, vazhdimi i bregdetit të Sarandës, është pjesa e Tepelenës, ajo e Korçës dhe segmenti Bllatë - Bulqizë.

Po borxhi publik, sa mbulohet me këtë buxhet suplementar?

-Borxhi publik është thjesht emetim më pak, i bie rreth7-8 miliardë lekë, pra nuk do të marrim hua.

Buxheti shtesë i vitit të kaluar kishte një vlerë rreth 280 milionë dollarë. Çfarë risie sjell ky buxhet shtesë i këtij viti?

-Vitin e kaluar kishte më shumë të ardhura nga privatizimi dhe disa të ardhura që ne i morëm nga Albtelekomi, siç ishte dividenti i pashpërndarë, ndërsa këtë vit ndryshimi është se tejkalimi i të ardhurave është më i madh në krahasim më një vit më parë. Në këto 300 milionë dollarë që parashikohet të jetë buxheti suplementar, raporti i tejkalimi të të ardhurave dhe të ardhurave nga privatizimi i sektorëve strategjikë, është në favor të tejkalimit të të ardhurave nga taksat e tatimet.

Parashikohet që ky buxhet shtesë të mbulojë rritjen e pagave dhe pensioneve?

-Pagat dhe pensionet janë mbuluar, sepse ne i kishim parashikuar në buxhetin normal. Ne kishim parashikuar kontingjenca të mjaftueshme që janë bërë të njohura, 4.6 miliardë lekë, të cilët janë miratuar për rritjen e pagave dhe pensioneve. Pensionet janë bërë efektive që nga data 1 korrik, pasi vendimi ka kaluar dy javë më parë dhe sot (dje) ka kaluar në qeveri edhe vendimi për rritjen e pagave. Pensionistët do të marrin pensionet bashkë me shtesat duke nisur nga data 15 korrik me efekt që nga data 1 korrik.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›