Matura Shtetërore; Më pak kopjacë se vjet
Në provimin e matematikës morën pjesë gjithsej 31.959 nxënës dhe vetëm rezultati i 6 nxënësve, të cilët kishin përgjigje të njëjta apo pjesërisht të njëjta nuk iu njoh rezultati. Ndërkohë, është marrë masa “Vërejtje me paralajmërim” për 1 administrator nga rreth 2.000 që mbikëqyrën nxënësit. Gjithashtu, numri më i vogël i testeve të dyshuara për kopjim, zvogëlimi i problemeve teknike, numri më i vogël i masave të marra ndaj administratorëve të provimit, në vitin e tretë të Maturës Shtetërore, në krahasim me dy vitet e para të saj, tregon rritjen e korrektesës nga ana e administratorëve. Si teste të rregullta janë konsideruar ato teste që nuk kanë pasur probleme të karakterit teknik dhe që nuk kanë rezultuar të jenë plotësisht apo pjesërisht me përgjigje të njëjta në zhvillimin e tyre. Ndërsa teste të parregullta janë cilësuar apo vlerësuar ato teste me zhvillim që kanë rezultuar më një përgjigje ose më shumë të njëjtë me të tjerët. Po ashtu dhe testet që kanë pasur të gjitha zgjedhjet e rrethuara janë cilësuar si teste të pavlefshme. Bëhet me dije se nga 115 teste të verifikuara 109 rezultuan të rregullta, 4 rezultuan me përgjigje tërësisht të njëjta, 3 ishin teste me probleme. Mësohet se vetëm 7 teste u penalizuan. Vihet re se në krahasim me dy vitet paraardhëse ka shumë më pak teste të penalizuara, pra në vitin 2007, nga testi i Maturës Shtetërore i provimit të matematikës nga 184 teste te verifikuara gjithsej 17 teste janë të penalizuara. Ndërsa në vitin 2006 gjatë zhvillimit të testit të matematikës nga 266 teste të verifikuara janë cilësuar si të parregullta 132 teste.