E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tatimet shpallin debitor firmën e “Gërdecit”

TIRANE- Inspektorët e administratës tatimore kanë shpallur bllokimin e pasurive të kompanisë “Albademil” dy vjet e tre muaj pas shpërthimit të fabrikës në Gërdec e cila i mori jetën 26 personave dhe plagosi mbi 300 të tjerë.

GSH shkruan sot se në listën më të fundit të subjekteve debitore ndaj Tatimeve, vihet re se është shtuar edhe kompania “Albademil”, ku administratori figuron të jetë Mihal Delijorgji, aktualisht i arrestuar dhe në proces gjykimi si një ndër përgjegjësit e tragjedisë së 15 marsit 2008.

Në shkrimin e sotëm të titulluar "Tatimet shpallin debitor firmën e “Gërdecit” të gazetarit Genc Kondi, GSH zbulon se vendimi për vendosjen e barrës siguruese për “Albademil-in” e Delijorgjit është marrë më 1 qershor 2010. Ndërkohë kjo kompani rezulton që të jetë e bllokuar një javë pas shpërthimit të Gërdecit, me një vendim të Gjykatës së Tiranës, së bashku me të gjitha pronat e administratorit të saj, Mihal Delijorgji.
Duke iu referuar fakti që në Qendrën Kombëtare të Regjistrimeve kompania gjithnjë ka mbajtur statusin “aktiv” kanë lindur një sërë pikëpyetjesh mbi llojin e aktivitetit që kjo kompani ka kryer pas shpërthimit tragjik.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›