Tatlises, pas shërimit, në burg?
Këngëtari i njohur turk, Ibrahim Tatlises u kthye në Stamboll në 1 qershor, pas javësh trajtimi në Gjermani për shkak të një plage në kokë, në një orvatje vrasjeje në mars. Tani, megjithatë, ai ndeshet me probleme ligjore për lidhje të dyshuara me botën e krimit të Turqisë.
Duke komentuar mbi gjendjen e Tatlisesit, profesor Tunç Alp Kaljon, kreu i institutit në Stamboll, ku këngëtari po vazhdon trajtimin, tha se morali dhe reagimi i Tatlisesit ndaj trajtimit janë pozitivë. “Gjendja e përgjithshme e pacientit tonë është tejet e mirë. Mund të themi se është më mirë se ç’prisnim.”
Ndonëse gjendja shëndetësore e këngëtarit u përmirësua, gjendja e tij ligjore mbetet me pikëpyetje. Gjykata e Lartë e Apelit e Turqisë ktheu një vendim gjykate që shtynte një dënim prej 13 muaj e 15 ditë që Tatlises mori për “ndihmën me dashje e me qëllim ndaj një organizate [kriminale].”
Sipas vendimit origjinal të gjykatës së Stambollit, këngëtari u gjet fajtor, por mori një dënim të shtyrë me kusht që të mos përsërisë më krimin në pesë vjet. Megjithatë, kur rasti shkoi në apel, Gjykata e Lartë e Apelit vendosi se dënimi nuk duhet të shtyhet.
Duke iu drejtuar gazetarëve më 3 qershor, avokati i Tatlisesit, Ahmet Kuçuk nuk shprehu shqetësim lidhur me gjendjen ligjore të këngëtarit, duke thënë se pretendimet se ai mund të ndeshet me kohë burgimi janë të pabaza. “Vendimi i kthimit i Gjykatës së Lartë të Apelit është në favor të klientit tim.”
Hetimet vazhdojnë
Ndërkohë, hetimi në tentativën e vrasjes ndaj Tatlisesit vazhdon. Këngëtari do të dëshmojë sapo mjekët e tij ta gjejnë atë të përshtatshëm. Admiruesit dhe kritikët e Tatlisesit kanë ndjenja të përziera rreth shtjellave të serive të ngjarjeve dhe lidhjeve të dyshuara të popstarit me krimin e organizuar. Duke folur për SETimes, shkrimtari dhe eksperti i muzikës popullore turke, Naim Dilmener komentoi se kjo nuk është hera e parë që emri i Tatlisesit është përmendur me krimin e organizuar. “Në vende si ky, të tilla lidhje, edhe megjithëse ato nuk kanë të bëjnë asgjë me qenien njeri, janë parë si faktorë primarë të të qenit i fortë e i fuqishëm.”