E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatuazhisti: Gjilpërat m'i blejnë e i përdorin sërish. Thonë: Ta hajë kush ta hajë

TIRANE - Minifunde, fustane e dekolte të hapura. Sezoni i verës është i pakuptueshëm pa to, ndërsa dëshira për të ekspozuar lëkurën duket se mbizotëron te çdo femër. E bashkë me lëkurën edhe tatuazhet e ndryshëm. Por, një alarm vjen për të gjithë të interesuarit. Pajtim Bebo, një tatuazhist në kryeqytet, gjatë një interviste dhënë për "Gazeta Shqiptare" u shpreh se gjilpërat e përdoruara prej tij, blihen dhe vihen në punë sërish nga të tjerët, edhe pse ato duhet të jenë me një përdorim. "Ta hajë kush ta hajë",- shprehet ai, ndërsa kjo do të thotë ekspozim i hapur ndaj infeksioneve dhe sëmundjeve të ndryshme.
Pajtim, me ardhjen e verës a ka pasur rritje të personave që dëshirojnë të bëjnë një tatuazh?
Sezonin e vjetshëm kisha më tepër. Ka rënë puna.
Kur ka qenë "boom"-i më i madh i tatuazheve?
Këto normalisht duhet të bëhen në dimër, ashtu siç planifikohen edhe operacionet. Po tani as në dimër, as në verë nuk po bëhen shumë. Më tepër vijnë vënë pirsing.
A vijnë adoleshentët për të venë pirsing apo për të bërë tatuazhe?
Vijnë. Para ca ditës më erdhi një djalë, as 14 vjeç nuk ishte. Erdhi dhe me dy shokë të tjerë. Njërin e pyeta: Sa vjeç je ti? 16 vjeç e gjysmë. Po mirë e bën gjilpërën ti? Po e bëj. I bëra vetëm një pikë, sa doli deri te dera u këput. Edhe shokët e vet u habitën.
Po vajzat adoleshente?
Vijnë dhe bëjnë ndonjë shkronjë që të mos ia shohë mami. I bëjnë në vendet intime.
Bëjnë emrat e tyre apo të të dashurve?
Të të dashurve më tepër. E di, sepse bëj shumë korrigjime se i bëjnë njëherë dhe pastaj duan t'i heqin.
Po përveç shkronjave, çfarë preferojnë?
Flutura, lule, këto janë më tepër.
Ju keni katalogë, ku zgjedhin imazhin që duan?
I ka të gjitha interneti dhe i zgjedhin atje. Po unë kam edhe punimet e mia.
Sa kohë keni që punoni?
Kam mbi 10 vjet.
Cila është teknika që përdoret?
Është vetëm gjilpëra. Ka gjilpëra të holla për konturet.
Gjilpërat përdoren vetëm një herë apo jo?
Po, po vetëm nga një herë.
Cilat janë vendet më të preferuar?
Te femrat është gjoksi dhe te pjesa e apendisitit. Meshkujt më tepër nëpër krahë.
A njihesh me tatuazhistët e tjerë në Tiranë?
Po. Është njëri që nuk është piktor, po punon me letër karboni dhe i bën. Është edhe njëri afër spitalit të fëmijëve. Ai vjen tek unë i merr gjilpërat e përdorura.
I përdor sërish ai?!
Po, kush ta hajë ta hajë. Ashtu e ha Sidën kur të duash, sepse kjo ka kontakt me gjakun. Po ata nuk e kanë problem.
Domethënë i marrin tatuazhistë të tjerë?
Po, kurse mua m'i sjell vëllai nga Amerika. M'i ka sjellë të gjitha madhësitë e gjilpërave. Kam edhe kremra për rigjenerimin e lëkurës kur mbaron tatuazhin.
Sa tatuazhe mund të bësh në muaj?
Këtë vit kam bërë shumë pak. Po vjet kam pasur ditë që bëja edhe nga 700-800 mijë lekë në muaj, sepse ka lekë kjo punë.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›