Te Onkologjiku urinohet në korridor
Situatat absurde me të cilat mund të hasesh në spitalet publike shqiptare janë nga më të paimagjinueshmet. Dhe jashtë kësaj liste nuk ngelet as qendra universitare spitalore “Nënë Tereza”, e cila në vendin tonë konsiderohet si maja e shërbimit shëndetësor.
Në katin e parë të Onkologjikut, një prej pavijoneve i cili ka një fluks të madh pacientësh në çdo ditë të vitit, në katin e parë vjen një erë e tmerrshme. Kjo pasi poshtë shkallëve që të çojnë në katet e sipërme, ku janë të akomoduar edhe shërbimet e rëndësishme të këtij spitale, gjithçka është kthyer në një banjo, me kuptimin e vërtetë të fjalës. Aty në fakt është edhe një derë e vogël, e cila me sa duket të zbret në bodrumet e këtij spitali, por që nuk përdoret asnjëherë. Duke qenë se banjot e katit të parë, në të shumtën e rasteve nuk funksionojnë, të sëmurë që presin me orë të tëra në radhë, apo të afërm të tyre, me sa duket i bien shkurt dhe i kryejnë nevojat e tyre personale brenda në spital. Këtu nuk ka vend për të drejtuar gishtin se kush e ka fajin, por ajo që na shqetëson është fakti së nëse ne si vizitorë të këtij spitali vëmë re një gjë të tillë, si ka mundësi që drejtuesit, apo bluzat e bardha që kalojnë një pjesë të madhe të kohës në këtë korridor, nuk i shqetëson fare era e rëndë?
Te 6-katëshi, i cili po rikonstruktohet kanë lëvizur vetëm disa shërbime. Në disa të tjera, tek të cilat nuk po ndërhyhet brenda në pavijon, ama llaci dhe tullat janë tek dera, dhe i gjithë pisllëku që marrin vizitorët e shumtë, apo vetë bluzat e bardha kur dalin jashtë kësaj dere futet brenda nëpër dhomat e shtrimit. Madje, si për ironi, ata duhet të durojnë edhe zhurmat e tmerrshme të gurit fleksibël që përdorin herë pas herë punonjësit që po rikonstruktojnë spitalin e sëmundjeve të brendshme.
(Korridori i spitalit Onkologjik, i mbushur me urine)
(Shkrimi eshte botuar dje ne gazeten “shqiptarja.com”)