E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të Përndjekurit, plotësimi i formularit

03/06/2009  Ministria e Drejtësisë kthen mbrapsht kërkesat për rishikimin e dosjes, por has vështirësi në adresat

Shkarkohet në faqen zyrtare formulari i vetëdeklarimit, kërkohet riplotësimi nga aplikuesit

Shfaqen mangësi në dosjet e dorëzuara pranë komisioneve të verifikimit nga ish-të përndjekurit politikë që kanë aplikuar për të përfituar dëmshpërblimin për dënimin e vuajtur gjatë regjimit komunist. Një pjesë e mirë e këtyre personave në dosjet e tyre nuk kanë depozituar formularin e vetëdeklarimit nëse janë trajtuar më parë me forma të caktuara të dëmshpërblimit si dhe janë gjendur edhe mangësi të tjera dokumentacioni. Sipas ligjit, Ministria e Drejtësisë i ka kthyer mbrapsht kërkesat nëpërmjet postës, duke u kërkuar sërish aplikuesve që të plotësojnë dosjen me mangësitë e shfaqura. Pavarësisht këtij fakti, posta është detyruar t’i kthejë mbrapsht një pjesë të mirë të këtyre kërkesave, pasi nuk ka arritur të gjejë personat që kanë aplikuar. Ndaj, për t’u ardhur në ndihmë të gjithë aplikuesve, ky institucion ka depozituar në faqen zyrtare elektronike formularin, i cili duhet të shkarkohet nga aplikuesit, të plotësohet sipas kërkesave përkatëse dhe më pas të dorëzohet pranë filialeve të postës shqiptare. Do të jetë kjo e fundit që do të bëjë sjelljen e formularëve sërish drejt organeve të verifikimit. “Ministria e Drejtësisë në vijim të procesit për zbatimin me korrektësi të gjitha hallkave procedurale që ia kërkon ligji “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist” u ka dërguar aplikuesve njoftimet për plotësim dokumentesh, si dhe kërkesat për plotësim të formularit të vetëdeklarimit nëpërmjet Postës Shqiptare. Megjithatë, një pjesë të këtyre njoftimeve Posta Shqiptare i ka kthyer sërish në ministri për shkak të vështirësive që ka hasur në gjetjen e adresave të personave që duhet të njoftohen”, - pohohet nga burimet zyrtare të këtij institucioni. Të gjithë aplikuesit që ende nuk kanë marrë në duar formularët e vetëdeklarimit, mund t’i shkarkojnë ato nga arkiva elektronike e çështjeve të dëmshpërblimit të ish-të Dënuarve Politikë, t’i plotësojnë, duke shënuar numrin e aplikimit (numri korrespondues i dosjes dhe shumë i rëndësishëm për t’u plotësuar) dhe më pas t’i sjellin ato nëpërmjet postës në Ministrin e Drejtësisë. Teksa është deklaruar se do të ndjekë me korrektësi të gjitha hallkat procedurale që ia kërkon ligji “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, si i vetmi mjet për të garantuar një proces të drejtë, nga i cili do të përfitojnë vetëm ata persona që janë ish-të dënuar politikë të regjimit komunist dhe familjet e tyre.

Si të gjeni formularin

Hyni në faqen zyrtare on-line të Ministrisë së Drejtësisë: ëëë.justice.gov.al. Më pas klikoni tek arkiva e çështjeve të dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politikë. Pasi të hyni në këtë faqe, klikoni te rubrika “Formulari”, në krye do të gjeni formularin e vetëdeklarimit. Klikoni mbi të dhe printojeni siç është në dy pjesë. Plotësojini të dyja pjesët sipas rubrikave dhe mos harroni të shënoni mbi të numrin e aplikimit (nr. korrespondues në dosje). Pas plotësimit dhe nënshkrimit dërgojeni atë nëpërmjet postës, ashtu siç keni bërë më parë për dërgimin e aplikimit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›