E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zog (by) i Erion Veliajt dhe Edi Ramës

Dëshpërim i veglave të Edi Ramës, të cilat arrijnë të blejnë një sondazh ndërkombëtar, vetëm e vetëm që t’u mbushin mendjen ylberistëve, se janë ende në garë për të marrë pushtetin. Sipas të gjitha shifrave, socialistët e Edvinit gëzojnë vetëm 37 përqind të mbështetjes, ndërkohë që 49 përqindëshi i së djathtës, është shfryrë, sipas matematikës së Erion Velisë në 30 përqind, ndërkohë që të tjerët janë shpallur si të pasigurtë. Edhe vetë blerësit s’ishin të sigurtë se shifrat do të konfirmoheshin në javët në vijim, ndërkohë që nga turpi, PS-ja s’mundi t’u dilte në krah statistikave të paturpshme

Publiku pa dje një shfaqje të dëshpëruar të 99-shave në opozitë, në dëshpërim e sipër, për të bindur të pavendosurit se kishte një shpresë që ata edhe të shndërroheshin në vendimmarrës në Shqipërinë e Evropës, moralit dhe zhvillimit. Sekti i Edvin Ramës dhe Erion Velinjve dje kishte siglën e “Zogby”-t, një emër jo i panjohur, por që fatkeqësisht, kishte zgjedhur xhunglën e opozitës soc-komuniste të Shqipërisë për të bërë pare.
Megjithë zhurmën që shoqëroi fazën parapërgatitore të rrjetit televiziv që shpalli ekskluzivitetin e (shpëlarjes së truve) sondazhit, rezultatet finale konfirmun dyshimet, se Edvini kishte hedhur pare të madhe që rrjeti televiziv i paguar prej tij, do të paguante që sigla e një ojq-je të çertifikuar për sondazhe do të jepte rezultatet e dëshiruara prej selisë së ylberistëve. E s’do shumë mend e kalem për të parë se sa vështirë e ka pasur stafi i “Zogby International” për të konfirmuar një turrë shifrash, që as barboni i lagjes ku banon Edi Shalësi (pasi Edvini i ngrys ditët në fshatin e Pezës) - megjithë dashamirësinë - nuk do t’i besonte. Duke e marrë nga zanafilla, anonimi që u lidh gjithë kohën me studiot e rrjetit televiziv dhe fushata parapërgatitore e “karameles” elektorale që do të hidhej në treg ishin veç përgënjështrimet e para që iu ofruan opinionit publik. Më tej, analiza e shifrave do të deshifronte dëshpërimin e thellë që ka mbërthyer një establishment të korruptuarisht, që s’gjen dot asnjë shifër e perceptim në terren, që të mund të keqpërdoret si mbështetje elektorale, por detyrohet t’i drejtohet një blerjeje të vështirë firme e opinoni, veç që simpatizantët ylberistë të mos dëshpërohen, përpara votimeve të 28 qershorit.
Shifra e parë kokëfortë e sondazhit të mbrëmshëm “Zogby-Top Channel” ka qenë 37 përqindëshi i Partisë Socialiste dhe partnerëve të saj në opozitë, ai versioni real i mbështetjes që në mënyrë të merituar ka populli i opozitës së erionëve tek elektorati. Edhe qendra humanistike “Gani Bobi” një ditë më përpara çertifikoi të njëjtën mbështetje për socialistët, ashtu si një sondazh i pavarur i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Pra, të gjithë indikatorët flasin për një mbështetje edviniste që nuk shkon më shumë se 45-50 deputetë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Por përtej këtij testimi, i cili nuk mund të preket e as të fryhet, thirret në ndihmë mekanizmi i Erion Velisë, ai mekanizmi që shpallte në pranverën e 2005-s mungesën e mbështetjes për Sali Berishës dhe mundësinë që Partia Socialiste, Fatos Nano dhe Edvin Rama të rikonfirmoheshin si mazhorancë qeverisëse. Të njëjtat mekanizma mashtruese janë vënë në punë kur ka ardhur puna për sfumimin e mbështetjes së elektoratit për qeverisjen e PD-së dhe ky operacion s’do as mend e as kalem. I vetmi fakt trishtues është përfshirja e emrit të Zogby-t në një aksion që s’është as i Zogby-t e as i SHBA-së, por thjesht i Eduard Zaloshnjës, Erion Velisë – e në një stacion final - i Edvin Ramës.
S’ka shumë shpresë për ylberistët e Edi Ramës, as për Asamblenë e tij të klonuar e as për veglat e tij ylberiste. Në skenë është thirrur përpjekja për të mos humbur shumë nga ai 37 përqindëshi fillestar, që jepet rëndom për alternativat, prandaj edhe mekanizmi mashtrues është përqendruar tek zvoglimi i shifrës mbështetëse për të djathtën dhe koalicionin qeveriës.
Si përfundim, shifrat zyrtare të rrjetit televiziv që po shërben prej kohësh si avanposti i propagandës ylberiste ka rrëgjuar mbështetjen për koalicionin e Sali Berishës, të çertifikuar prej 49 përqindësh prej sondazhit të Qendrës Gani Bobi dhe 45 përqindësh në sondazhin e porositur nga LSI-ja, në një përkrahje të vendosur të vetëm 30 përqind të të anketuarve. Në mënyrë të çuditshme, të tjerët kanë përfunduar tek kategoria e të pavendosurve, duke e shndërruar testimin në një lojë politike, e cila për momentin, nuk shkurajon deri në fund përkrahjen për Edvin Ylberistin, ndërkohë që nuk e mbyll çështjen e mandatit kryeministror të Sali Berishës.
I gjithë mekanizmi ngjan i përshtirë dhe i denjë për mekanizmin propagandistik që po përdor prej kohësh Edvin Rama me mediat në shërbim të tij, por shpallja e sondazhit përbën apogjeun e kësaj loje të vogël, e cila si përfundim nuk mbledh as vota, nuk shpërndan besueshmëri e s’kryen as reforma. 20 përqindëshi i shkruar me dorë për pavendosmërinë e zgjedhësve është thjesht tregues i dëshpërimit të Partisë së Edvin Ramës, i pazarit të ulët (zaten është treguar edhe më herët, në testimet e Brazilit apo vendeve të tjera) të institucionit “Zogby” si dhe i epërsisë që Partia Demokratike po shfaq në terren.
S’ka nevojë për manovra të detajuara për ta konfirmuar këtë fakt. Edhe qetësia me të cilën u përcollën manitë mediatike të PS-së dhe të Edvin Ramës gjatë mbrëmjes së kaluar, janë tregues se dje kishim të bënim me një tollumbace, fryrja e të cilit ishte e koordinuar, ashtu si edhe shpërthimi i saj. Fryrja ndodhi në studiot e Top-Channel dhe në mjediset e panjohura ku foli njeriu pak i njohur, që tha se ishte përfaqësues i “Zogby”-t, ndërkohë që ndërkohë që shfryrja ndodhi në të njëjtin moment, tek perceptimi ynë i përbashkët si dhe tek shifrat që studio të paangazhuara politikisht japin për suksesin e reformave të kabinetit qeveritar.
Ilir Nikolla

“Zogby International”, gabimet që e kanë bërë të pabesueshme

Gabimet e “Zogby”-t, deri në 20 për qind,
ka nxjerrë humbës fituesit dhe e kundërta

Mediat ndërkombëtare të shkruara “Uashington Post” apo “Wall Street Journal”, por edhe media të njohura televizive si CNN, CBS News apo ABC, etj., zhvlerësojnë sondazhet e “Zogby International”

Kompania “Zogby”, e cila mbrëmë ju servir publikut shqiptar si një busull e pagabueshme e orientimit politik, është një kompani e njohur për gabime në realizimin e sondazheve të ndryshme. Në këtë kontekst, ajo nuk gëzon ndonjë imunitet të veçantë ndaj gabimeve, të cilat i bëjnë rëndom kompanitë e tjera, të shumta të këtij lloji.
Mendimi jopozitiv ndaj kompanisë “Zogby”, shprehen edhe nga burime autoritative të medieve të shkruara ndërkombëtare sikurse janë  “Uashington Post” apo “Wall Street Journal”, por edhe mediave të njohura televizive si CNN, CBS Neës apo ABC, del shumë e qartë se sondazhet e “Zogby”-t janë larg të qenit të pagabueshme, jo vetëm që s’kanë arritur të godasin në shenjë, por kjo ka ndodhur në jo pak raste.
Analistë e media të ndryshme ndërkombëtare, duke u ndalur në analizën e sondazheve të tilla, të kompanive si “Zogby”, bëjnë të ditur se shpeshherë sekreti që qëndron në thelb të kaq shumë gabimeve “shkencore” qëndron në faktin se një numër i madh sondazhesh parazgjedhore përdorin metoda preferenciale, anketues të keqpërgatitur, ose standarde mjaft të debatueshme.
Për analistët dhe mediat ndërkombëtare, “Zogby International” është kompania më e përfolur në këtë drejtim. Ajo njihet kryesisht për shkak të sondazheve të saj kontroversiale dhe bombastike që arrijnë të kapin thuajse menjëherë kryeartikujt e gazetave në shumë vende të botës.
Televizioni amerikan ABC është njëri nga televizionet që i konsideron sondazhet e “Zogby”-t si jo edhe aq të besueshme.
Warren Mitofsky, koordinatori për sondazhet për vitin 2008 në disa televizione publike amerikane dhe koordinator i sondazheve për “Associated Press” shprehet se, “’Zogby’ nuk mund të konsiderohet si një firmë me reputacion për sondazhe. Ajo mund të konsiderohet më shumë si një firmë promocioni shitjesh, sesa një kompani sondazhesh. Gabimet e saj në parashikimin e rezultateve të zgjedhjeve janë të shumta: pesë gabime i ka bërë vetëm në vitin 2002. Kam dëgjuar se ka fushata "elastike", por rezultatet e sondazheve ‘Zogby’ janë gjithashtu mjaft ‘elastike’”.
Gjithashtu, përgjegjesja për anketimet në CNN, Keating Holland, ka vërejtur se, “Zogby kishte një gabim prej 10 për qind në llogaritjen e votave që fitoi Kerry, duke ia zbritur ato, dhe duke i shtuar gabimisht  7për qind kandidatit kundërshtar Gephard në shtetin Iowa. Ky natyrisht nuk ishte një rezultat i mirë. Të shohim ç'do të ndodhë që tani e tutje"
Për të justifikuar gabimin e tij, “Zogby” u shpreh se në shtetin Iowa dinamika e ngjarjeve kishte qenë jashtëzakonisht e shpejtë, dhe se kjo sqaronte diferencën në atë sondazh.
Nga ana e saj, drejtoresha e anketimeve në CBS Neës, Kathleen Frankovic, shprehet lidhur me “Zogby”-n se “Idetë tona lidhur me mënyrën se si duhet të kryhen sondazhet dallojnë katërcipërisht nga ato të ‘Zogby’-t”.
Përpos opinioneve ndërkombëtare, për të ilustruar këto fakt, janë edhe të tjera qëndrime konkrete të “Zogby”-t, si edhe shifra sondazhesh që konfirmojnë gabimet krye këput të kësaj kompanie.
Në zgjedhjet presidenciale të Brazilit të vitit 2006, ku njërin kandidat “Zogby” e vlerësoi me 20 për qind më pak (për të qenë më të saktë, ky vlerësim iu rezervua kandidatit presidencial Geraldo Alckmin, i cili fitoi 42 për qind nga 22 për qind që parashikoi “Zogby”).
Gjithashtu, në zgjedhjet primare amerikane për shtetin e Iowa-s, “Zogby” pretendoi se kandidati demokrat Kerry do të fitonte kundër republikanit Bush me 5 për qind diferencë, ndërsa në fakt Bush fitoi kundër Kerry-t. E njëjta gjë i ndodhi firmës “Zogby” në presidencialet e fundit amerikane për shtetin e Indianës, ku “Zogby”, parashikoi fitoren e McCain me të paktën 5 për qind avantazh kundër Obamës, por rezultatet dolën krejtësisht të kundërta.

Përse kaq shumë burime autoritative shprehin kaq shumë dyshim kur përmendet emri Zogby?

Ja disa nga ankesat e tyre kryesore

“Zogby” i merr mostrat e tij për anketim vetëm nga dosjet kompjuterike që përmbajnë numrat telefonikë të personave të listuar, duke anashkaluar rreth 30 për qind të popullsisë që nuk e ka emrin në listë.
“Zogby” u telefonon të anketuarve gjatë ditës dhe pasdite. Rreth 30 për qind e intervistave të tij merren përpara orës 17.30. Intervistat që kryhen gjatë këtij orari funksionojnë shumë mirë nëse doni të merrni mendimin e pensionistëve apo amvisave. Por ato nuk reflektojnë mendimin e pjesës më aktive të popullsisë.
“Zogby” gjithashtu korrigjon popullatën e marrë si mostër në bazë të gjykimit të tij lidhur me ‘atë që ndodh në terren’ në varësi të një gare të caktuar, dhe kjo lloj përqasjeje e tij kundërshtohet nga shumë organizata të tjera sondazhesh. Për shembull, ai mund të ndryshojë me iniciativën e tij përpjesëtimin midis votuesve 18-vjeçare ndaj atyre 24-vjeçare në mostrën e sondazhit, nëse i lind dyshimi se në zgjedhjet e mëparshme mostra kishte përmbajtur shumë të rinj. Ai gjithashtu korrigjon përpjesëtimin e përkatësisë fetare të mostrës së marrë parasysh nëse ka dyshimin se ka nënpërfaqësuar njërin apo tjetrin komunitet fetar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›