E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Të dëmtuarit nga shembjet do të dëmshpërblehen”

16/06/2005  Nano në Berat: “Do të dëmshpërblehen duke u integruar në projektet tona për të rekuperuar humbjet”

Nga zbatimi i studimeve urbanistike në qytete dhe komuna shumë ndërtime me leje dhe pa leje shemben. Por, Kryeministri Fatos Nano siguroi dje në mbledhjen e KRRTRSH-së se do të shikohet mundësia e dëmshpërblimit, duke u integruar në projektet e reja urbane. “Shpreh edhe keqardhjen njerëzore dhe politike për të gjithë ata shtetas apo edhe sipërmarrje, që për shkak të ushtrimit të detyrës nga ky Këshill, në zbatimin rigoroz të rregullave të zhvillimit urban, janë dëmtuar, u janë cënuar investime apo interesa. Mbi këtë bazë, i siguroj të gjithë ata se me gjithë juridiksionin që përfaqësoj, do të dëmshpërblehen duke u integruar në projektet tona për të rekuperuar humbjet dhe për të vazhduar të riprodhojnë pasuritë e tyre, tashmë në mënyrë të ligjshme”, deklaroi dje Nano.

Sipas tij, planet rregulluese të qendrave të qyteteve mbeten kolona vertebrale e më shumë se 200 vendimeve që kemi marrë së bashku në 3 vitet e fundit. Projektet që kemi miratuar, shumica e të cilave tashmë janë në zbatim, e kanë kthyer gjithë Shqipërinë në një kantier modern ndërtimesh dhe parametra të urbanistikës moderne që integrojnë vlerat tona tradicionale dhe prandaj kanë sjellë efektin e duhur në ndryshimin e pamjes të infrastrukturave të jetës, të sipërmarrjes, natyrisht edhe të psikologjisë sociale dhe të besimit të njerëzve tek e ardhmja.

Prej disa vitesh KKRRTRSH është transformuar nga një noterizues pasiv i kaosit të masakrës urbane në të kaluarën, në një institucion proaktiv të përputhjeve me legjislacionin e ri, i cili ka kontribuar për ndërtimin e qendrave moderne të jetës dhe të sipërmarrjes. Projektet dhe rregulloret e miratuara prej këtij institucioni, nuk kanë pasur thjeshtë dhe vetëm natyrë urbanistike. Ato ishin ndërhyrje me autoritetin e ligjit për të ndalur përfundimisht kaosin urban të trashëguar dhe, prandaj, nuk kanë qenë vetëm shëruese, por edhe zhvilluese. Projektet dhe vendimet në mbështetje të tyre kanë mundësuar një ndryshim të balancës së zhvillimit të qyteteve tona, duke integruar me kosto minimale edhe ndërtimet spontane apo pa leje, në respekt të shumicës së pronarëve të rinj, të ardhur rreth qyteteve tradicionale. “Ne ju premtuam dy vjet më parë qytetarëve të Beratit një plan rregullues modern të qendrës së tij dhe sot jemi të gatshëm dhe të sigurt për ta miratuar bashkarisht. Tashmë, edhe qyteti mijëravjeçar i njëmijë e një dritareve, do të ketë kushtetutën e vet urbane si një platformë për të realizuar aspiratat e brezave të tërë të qytetarëve që duan të jetojnë dhe të trashëgojnë këtë vend”, tha Nano.

Farudin Hoxha: Ministri i Kulturës duhet të kishte punuar për të përfunduar dokumentet e atashimit pranë UNESKO-s

Qendra e Beratit, hapi i parë për në UNESKO

Berati do të ketë një qendër moderne dhe historike. Dje në mbledhjen e KKRRTRSH-së të kryesuar nga Kryeministri Fatos Nano, zhvilluar në këtë qytet, është diskutuar dhe miratuar studimi i qendrës së Beratit. Takimi ka filluar me referimin në hartë për studimin e qendrës së Beratit nga drejtori i Institutit të Projektimeve pranë Ministrisë së Turizmit dhe Rregullimit të Territorit, Arben Golemi. Sipas Golemit, që qyteti i Beratit t’i tregojë të gjitha vlerat, që me këtë studim të marrë vërtet pasaportën për në UNESKO, duhet që të zbatojë me përpikmëri të gjitha vendimet që do të merren në bazë të projektplanit. Në plan-studimin rregullues të qendrës së Beratit, janë marrë parasysh që të gjitha ndërtimet me dhe pa leje.

Ai ka shpjeguar studimin, duke thënë se Pallati i Kulturës ekzistus të kthehet në amfiteatër veror, në lagjen “Mangalem” te Porta e Pashajt të transferohet shkolla dhe në vendin e saj të ruhet hapësira para dhe pas saj në shesh gjelbërimi si dhe të ketë një mëvetësi të gjitha monumentet e kulturës, pasi janë pjesë e kësaj pasurie arkitekture. Edhe hapësirat mes pallateve të qendrës duhet t’u lënë vendin shesheve të gjelbra, që duhet të ndërtohen menjëherë pas lirimit nga ndërtimet me dhe pa leje të kësaj qendre. Ndërsa në një prespektivë të gjitha pallatet 5 e 6-katëshe të ulen për t’i lënë hapësirë pamjes vizive të pjesës muzeale. Dhe po të vijmë te qendra e qytetit, ajo duhet parë në konteks e ndarë në dy pjesë, e para është mes kishës së re që po ndërtohet dhe xhamisë së vjetër, e ndërtuar 500 vjet më parë. Kjo qendër duhet të ekzistojë pa ndërtimet me dhe pa leje të ndërtuara përreth xhamisë, pasi vetë mosha e saj nuk lejon një paraqitje harmonike. Ndërsa në qendrën e Beratit do të jetë ndërtimi i një monumenti të ri, me xham dhe metal, i cili nga çdo kënd që ta shikosh lejon pamjen e pjesës muzeale. Edhe ndërtimi i dy urave do të jetë në pajtim të drejtpërdrejt me dy lagjet, duke spostuar apo tjetërsuar ndërtimet pranë tyre. Infrastruktura e qytetit do ndryshojë duke e reduktuar kalimin e dy rrugëve me një kalim veri-perëndim dhe në kalimin tjetër anasjelltas. Ndërsa pjesa tjetër do të jetë pjesë e gjelbëruar, madje vetëm me një shesh pushimi me atë të teleferikut. Ndërsa vlen të përmendet se e gjithë sipërfaqja tjetër do të ngelet një shëtitore e madhe, me një shtesë tjetër gjelbërimi. Do të ketë shembje ndërtimesh për të siguruar gjelbërim dhe kënde lojërash. Më pas, KKRRTRSh-ja miratoi me një oponencë të vogël këtë projekt-plan, të cilin kryetari i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, tha se nga vlerat që mbart ky qytet, të bën t’i gëzosh shumë faktit që duhet të ketë më tepër vende të lira se sa ndërtime të papërshtatshme për profilin e qytetit. Profesor Farudin Hoxha tha: “Në këtë rast jam në oponencë me ministrin e Kulturës, që më shumë dhe më shpejt duhet të kishte punuar për të përfunduar dokumentet për të atashuar këtë qytet pranë UNESKO-s”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›