E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të dënuarit në “ethe” për falje apo amnisti

02/12/2009  Të burgosurit në pritje të vendimit të presidentit Topi. 450 kërkesa për falje

Procedurat e plota që do të ndiqen për të përcaktuar se cilët do të përfitojnë

TIRANË- Amnisti apo falje. Kjo është dilema që ka përfshirë të gjithë të dënuarit në çdo burg të vendit. Ndonëse është ende fillimi i muajit dhjetor e festat kanë kohë për të mbërritur, të dënuarit kanë filluar të mendojnë për veten e tyre dhe për të qenë në “top listën” e përvitshme. “Ethet” i kanë pushtuar të gjithë. Kërkesat janë të shumta, por në fund bëhet një përzgjedhje dhe ata që përfitojnë janë me shans. Burime nga Drejtoria e përgjithshme e Burgjeve bëjnë të ditur se numri i kërkesave sa vjen dhe shtohet nga të dënuarit. Ndërkohë që flitet se deri në këto momente janë rreth 450 të dënuar, të cilët kanë paraqitur kërkesë për falje ose nëse jepet amnisti. Kërkesat janë depozituar në drejtori në zyrën e verifikimit të dosjeve. Pasi të mbyllet faza e parë, ajo e depozitimit të kërkesave nga secili i dënuar dhe nga drejtoritë e burgjeve përkatëse, do të fillojë dhe verifikimi i dosjeve dhe veprave penale. Të dënuarit që mund të përfitojnë nëse do të ketë falje apo amnisti janë të miturit që u ka mbetur dhe një pjesë e vogël e dënimit, të moshuarit, por edhe gratë. Pasi të jetë bërë verifikimi i listave dhe përzgjedhja e emrave, lista përfundimtare shkon tek Presidenti Bamir Topi. Një gjë e tillë bëhet ditët e fundit të vitit. Grupi i punës pranë Presidentit bën verifikimet e veta dhe më pas është ai që vendos. Por ende nuk është përcaktuar nëse do të jetë falje apo jo. Festat e fundvitit pritet të jenë me fat për një numër të konsiderueshëm të dënuarish, të cilët do të përfitojnë një ulje me dekret të Presidentit të Republikës. Të dënuarit janë përfshirë nga një valë përzgjedhjeje, e cila do t’u japë të drejtën e përfitimit të amnistisë apo faljes. Janë dy variante, por ende nuk është përcaktuar se si do të procedohet. Në rast se do të bëhet amnisti atëherë, të drejtën për ta marrë këtë vendim e ka Kuvendi i Shqipërisë dhe përzgjedhja do të bëhet, duke verifikuar veprat penale. Në këtë kuptim amnistohet vepra penale. Ndërsa, në rast se do të jepet falje, lista e të dënuarve i dërgohet Presidentit. Ky i fundit bën verifikimet përkatëse dhe më pas vendos, nëse do të falë apo jo. Pasi përzgjedhja bëhet nga Presidenti më pas i niset Drejtorit të përgjithshëm të Burgjeve. Është ky institucion që bën verifikimin e personave që janë përzgjedhur për t’u falur nga Presidenti. Por edhe në drejtori punojnë ekspertët e burgjeve në bashkëpunim me ata pranë Presidentit. Në lista ndodhen emrat e rreth 200 të dënuarve, të cilët ndryshojnë nga dita në ditë. Kjo për faktin se kriteri për të qenë në listën e personave që do të falen, është dënimi nën 1 vit. Veprat penale, që pritet të futen në këtë përzgjedhje dhe që do t’i japin të drejtë të dënuarve të fitojnë janë ato, që konsiderohen të lehta. Por nga përvoja e viteve të kaluara, është parë që në listat për falje kanë pasur emrat edhe persona të dënuar për vrasje, por që në fund u kishin mbetur edhe pak vite për të vuajtur dënimin. Pra, kriteri i fillimit ai që Presidenti vendos se për të fituar duhet të kesh një dënim nën një vit, ka rënë disa herë. Nga Drejtoria e përgjithshme e Burgjeve bëjnë të ditur se një amnisti për disa vepra penale do të lehtësonte shumë mbipopullimin. Veprat penale që amnistohen janë disa dhe duke parë se në burgje ka shumë persona të dënuar për vjedhje, atëherë është mundësia e madhe që një pjesë e tyre të dalin të lirë. Por nga ana tjetër ekziston edhe një frikë. Se pas këtij lirimi mund të shtohen rastet për kryerjen e veprave të tjera penale.

Kërkesat

Burime nga Drejtoria e përgjithshme e Burgjeve bëjnë të ditur se deri në këto momente nga të gjithë burgjet kanë paraqitur kërkesa rreth 450 të dënuar. Kërkesat fillimisht janë paraqitur në burgun përkatës e më pas janë përcjellë për në drejtori. Nga kjo listë, e cila mund të shtohet përfitojnë rreth 100 të dënuar. Në këtë fushatë që bëhet çdo fundviti janë futur në lojë të gjithë të dënuarit, pjesa më e madhe e të cilëve e dinë shumë mirë se nuk përfitojnë.

Të përjashtuarit

Përjashtohen nga lista, të gjithë të dënuarit që kanë kryer vepra penale të rënda si trafik femrash, armësh, droge dhe vrasje të kategorive të ndryshme. Ajo që flitet është fakti se të dënuar të veçantë, nëpër të gjitha burgjet e vendit do t’i nënshtrohen një përzgjedhjeje, fillimisht nga Ministria e Drejtësisë e më pas nga Drejtoria e përgjithshme e Burgjeve. Ndërsa në rast se do të ketë amnisti, atëherë të dënuarit që do të përfitojnë nga kjo përcaktohen në bazë të veprave penale.

Burgjet

Përzgjedhja është bërë në të gjithë vendin. Në Vaqar janë marrë rreth 20 të dënuar, që kanë kryer vepra jo të rënda penale. Në Rrogozhinë 15 të dënuar dhe ky numër i bashkohet listës përfundimtare. Por ndërsa ky është një numër i vogël burgje të tjera kanë një numër më të madh. Burreli, Fushë- Kruja, burgu 325, Kosova, Tepelena. Përjashtohen nga e drejta për falje të gjithë të paraburgosurit. Megjithatë, burime nga burgjet bëjnë të ditur se lista nuk mund të quhet përfundimtare.

Lejet

Procedura

Fillimisht janë vetë të dënuarit që bëjnë kërkesën. Më pas janë burgjet që dorëzojnë listën në Drejtorinë e Përgjithshme. Ndërkohë që pas kësaj faze fillon edhe shikimi i dosjeve për secilin. Lista përfundimtare i shkon Presidentit, i cili në fund bën zgjedhjen e tij. Për festat e fundvitit, vetë drejtoritë e institucioneve të vuajtjes së dënimeve, që nuk janë të sigurisë së lartë, kanë të drejtë të japin leje për të dënuar, të cilët kanë pasur qëndrim shembullor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›