E Shtunë, 31 Tetor 2026

Te denuarit politik. Të zhbllokohet komisioni trepalësh

18/09/2009  Miraka, shkresë qeverisë e kuvendit për njohjen e vërtetimeve të lëshuara pas 91-shit

Nuk njihen vërtetimet për të pushkatuarit pa gjyq, te internuarit me formë të prerë, etj

Skema e dëmshpërblimit të të dënuarve politikë duhet të përfshijë edhe personat e pushkatuar pa gjyq, të internuarit me vendime të formës së prerë si dhe kategori të tjera, të cilat nuk disponojnë dokumente përveç atyre të lëshuara nga komisionet trepalëshe të viteve 1992-1994. Për këtë Instituti i të Përndjekurve Politikë do të depozitojë një shkresë zyrtare pranë Kryeministrisë dhe Kuvendit, ku do të kërkojë ndihmën e këtyre institucioneve në zgjerimin ligjor të listës së përfituesve të kompensimit financiar. Drejtori i këtij instituti, Simon Miraka, ka pohuar për gazetën “Metropol” se tashmë është duke u përgatitur shkresa, e cila do të kërkojë ndërhyrjen e qeverisë në përfshirjen e kësaj kategorie në skemën e dëmshpërblimit për shkak të dënimeve të vuajtura.

Vendimet

Sipas Mirakës, një numër i madh dosjesh të depozituara pranë komisioneve përkatëse të drejtësisë nga të përndjekurit për procesin e verifikimit të statusit janë kthyer mbrapsht, pasi është bërë objekt polemike neni nr. 1 i ligjit. Ky i fundit nuk njeh vendimet e komisioneve trepalëshe (të cilat me anë të dëshmitarëve ose fakteve të tjera vërtetonin datën dhe motivin për të cilin ishte ekzekutuar viktima). Miraka pohon se ligji aktual njeh vetëm ato dokumente të krijuara si burim arkivor deri në vitin 1991 dhe vendime penale të formës së prerë të gjykatave të zakonshme apo speciale, ose me urdhra të organeve të hetuesisë që janë dhënë para këtij viti. Konkretisht bëhet fjalë për rreth 5000 të internuar politikë, që janë pushkatuar pa vendime gjyqi. Në mungesë të dokumenteve verifikuese të arkivuara në Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Brendshme, për këtë kategori janë lëshuar dokumentet e komisioneve trepalëshe (të cilët kanë arritur që nga afektimet e asaj kohe apo dëshmitë të vërtetojnë një dënim të kryer).

Kontestimet

Ndonëse deri tani nuk është marrë ende asnjë vendim zyrtar, Miraka pohon se i janë depozituar organeve përgjegjëse dhe tri kontestimet e Institutit në lidhje me ndryshimet që duhet t’i bëhen ligjit. Nëpërmjet tyre kërkohet: “Për të pushkatuarit pa gjyq të njihen të paktën pushkatimet që janë bërë pas ’45-s. Ndërsa për ato të ndodhura nga ’45-a deri në vitin 1954, duke qenë se nuk ka dëshmi apo vërtetime nga Ministria e Brendshme, është kërkuar që të njihen vërtetimet e lëshuara nga komisioni trepalësh i asaj periudhe.”

Përplasja

Me mijëra dosje janë kthyer mbrapsht nga organet verifikuese të drejtësisë për shkak të mungesës së vërtetimeve të lëshuara para vitit 1991, që faktojnë dënimin e kryer. Ndërsa dokumentet e lëshuara pas këtij viti ligji nuk i njeh. Dosjet e kthyera kanë të bëjnë jo vetëm me të pushkatuarit pa gjyq, por edhe me ata që janë internuar pas çlirimit, për të cilët regjimi komunist i asaj kohe nuk nxirrte asnjë lloj vendimi. Kjo sepse ligji thotë se njihen dokumentet që janë arkivuar para ’90-s, ndërsa për këtë shtresë dokumentet në Ministrinë e Brendshme janë arkivuar pas ’90-s.

Trashëgimia

Një tjetër ndryshim i kërkuar është ai i kalimit të trashëgimisë te pjesa tjetër e familjes për disa kategori. Ligji thotë se trashëgimtar i parë i dëmshpërblimit janë gruaja dhe fëmijët. Por ka raste specifike, siç janë ata të klerit katolik, bektashinjtë apo kategori të tjera të veçanta, pasojat e internimeve të tyre i kanë vuajtur familjet e tyre, pasi ligji i ndalonte martesat për ta. Sipas Mirakës, nuk janë të paktë personat e kësaj kategorie që janë pushkatuar të rinj në moshë, prandaj kërkohet që dëmshpërblimin tani ta përfitojnë nipërit dhe pjesa tjetër e familjes.

Verifikimi

Konkretisht bëhet fjalë për rreth 5000 të internuar politikë, që janë pushkatuar pa vendime gjyqi. Në mungesë të dokumenteve verifikuese të arkivuara në Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Brendshme, për këtë kategori janë lëshuar dokumentet e komisioneve trepalëshe (të cilët kanë arritur që nga afektimet e asaj kohe apo dëshmitë të vërtetojnë një dënim të kryer).

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›