E Diel, 1 Nëntor 2026

Të drejtat e njeriut, qeveria të ndryshojë strategjinë

Ambasadorët

Ambasadorët e Bashkimit Europian në Tiranë i bënë thirrje qeverisë shqiptare që të rinovojë strategjinë e saj për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të marrë masa konkrete në këtë fushë. Me nismën e ambasadës spanjolle, që përfaqëson Presidencën e BE-së, u mblodhën dje diplomatët e vendeve që përfaqësojnë BE-në, me organizatat jofitimprurëse që merren me të drejtat e njeriut. Ambasadori i Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobio, ka deklaruar se qeveria shqiptare duhet të rinovojë strategjinë aktuale për të drejtat e njeriut. Sipas Montobios duhet të ketë më shumë dialog mes institucioneve dhe OJQ-ve për të mbrojtur të drejtat e njeriut, ndërsa theksoi se të dyja palët do të kenë mbështetjen e ambasadorëve. Mbështetje sipas tij do të ketë edhe për antikorrupsionin. Në fjalën e tij, Montobio theksoi se roli i tyre është të monitorojnë mbrojtjen e këtyre të drejtave.
Ndërkaq, mësohet se qeveria shqiptare ka kthyer për rishqyrtim dy kapituj të pyetësorit të BE-së për statusin e vendit kandidat. Bëhet fjalë për kapitujt e politikës dhe drejtësisë, pasi shkak janë bërë përgjigjet e gjata dhe shpeshherë jo të qarta të ekspertëve të Dikasterit të Drejtësisë, të cilët po merren me plotësimin e këtyre dy kapitujve kyç. Florian Nuri, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, tha se qenia më konciz, më sintetik dhe më të qartë i shërben edhe një leximi më të mirë edhe nga pala europiane”. Vetëm kapitulli i politikës numëron rreth 900 faqe. Ekspertët i kanë tepruar shpjegimet, duke i dhënë një pyetjeje të vetme një përgjigje më tepër se pesë faqe, nga një që është kriteri. Megjithatë, sipas Ministrisë së Drejtësisë, dy kapitujt e redaktuar do të kalojnë se shpejti në Këshillin Ndërministror.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›