Rikthehet çengeli, vjedh një mjet Golf 4
Personazhi i njohur për vjedhjet e tij, Markelian Cungu, i cili ende nuk ka mbushur 13 vjeç, është kthyer sërish në qelitë e policisë, tashmë për vjedhjen e një makine. Ai është kapur dy net më parë, pasi në bashkëpunim me dy të mitur të tjerë ka vjedhur një mjet “Wolkswagen Golf 4”, por aventura e tij nuk ka zgjatur shumë. Burimet policore bënë të ditur se i mituri, i njohur ndryshe si “çengeli”, e ka kryer këtë veprim në orët e pasdites së të martës, afër Shkollës së Bashkuar në Tiranë. Ai ka parë mjetin e parkuar, ka hyrë brenda në një banesë dhe pasi ka marrë çelësat e makinës, e ka vjedhur atë. Menjëherë poseduesi i mjetit ka njoftuar shërbimet e Komisariatit Nr. 4, duke deklaruar se i kishin vjedhur makinën e tij me targa të Tiranës dhe shërbimet e policisë kanë ngritur një sërë postblloqesh. Gjatë gjithë kryqëzimeve, shërbimet e Komisariatit Nr. 4, por edhe ato të Komisariatit Nr. 3, nuk kanë rënë në gjurmët e mjetit. Ndërsa në Kamzë, shërbimet e Komisariatit Nr. 5 kanë pikasur në lëvizje mjetin e denoncuar si të vjedhur dhe kanë ngritur një postbllok, duke realizuar bllokimin e tij. Por, kur kanë parë brenda, zbuluan se në timon ishte Markelian Cungu, i cili nuk është i panjohur për policinë, pasi ka qenë i pranishëm në ambientet e tyre me qindra herë. Policia tha se ai është shoqëruar me dy persona të tjerë, të cilëve u janë plotësuar dokumentet në gjendje të lirë, për shkak të moshës së mitur dhe më pas mjeti i është kthyer pronarit. Markelian Cungut i numërohen vjedhje të ndryshme, por më e bujshmja deri më sot mbetet ajo e vjedhjes së 45 mijë eurove në një banesë. Ai kishte gjetur një moment që në banesë ndodhej vetëm një grua e sëmurë dhe kishte marrë paratë, duke u larguar. Katër ditë më vonë u kap nga policia, por paratë nuk e gjetën asnjëherë.
#