E Hënë, 2 Nëntor 2026

Të falen taksat për biznesin në zonat e bllokuara nga bora

25/02/2005  PD do të paraqesë në Kuvend projektligjin dhe amendamentet konkrete

Kryetari i Grupit parlamentar të PD-së, Bamir Topi, tha dje se opozita do të ndërmarrë një nismë ligjore për përjashtimin nga taksat për bizneset e zonave të bllokuara nga reshjet e dëborës. "Grupi parlamentar i Partisë Demokratike do t'i propozojë parlamentit dhe nëpërmjet tij strukturave të Ekzekutivit, që biznesi i vogël i zonave të bllokuara, ku prej mëse dy muaj nuk ushtrohet asnjë lloj aktiviteti, të përjashtohet nga taksat", tha Topi. Sipas tij, bizneset e zonave të veriut edhe në kushte normale mezi ia dalin të mbijetojnë dhe do të ishte e tepërt të taksoheshin për dy muajt e fundit, kur aktiviteti i tyre ka qenë i pezulluar thuajse plotësisht. Topi tha se ekziston rreziku që, sapo të shkrijë bora, bizneset në këto vende do të ndëshkohen për taksat e papaguara. "Ne nuk e kemi thjesht një nismë politike, por është një nismë tepër e arsyeshme, që do të ndihmonte sadopak bisnesin e këtyre zonave të dëmtuara", tha Topi. Reshjet e dëborës, kryesisht në zonat verilindore të vendit, u kthyen në akuza dhe kundërakuza mes opozitës dhe qeverisë në parlament. Opozita akuzonte qeverinë për indiferentizëm dhe mungesë veprimesh, ndërsa qeveria nga ana tjetër i konsideronte akuzat si "Shou" të opozitës, për të fituar kredibilitet politik. Megjithatë, vetëm javën e ardhshme pritet që nisma e deputetëve të PD-së të paraqitet në formën e propozimit konkret në Kuvendin e Shqipërisë. Drafti do të merret në shqyrtim nga komisionet parlamentare dhe më pas do të kalojë për votim në seancë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›