Të huajt e shihnin me tmerr shkeljen e ujërave shqiptare
Autori i Lajmit: Denisa KONAVazhdon
-Sa orë kalon pa shkëputje në det një marinar dhe tek ju, si është e ndarë pjesa e jetës tokë-det ?
Raporti i jetës është në favor të tokës, kuptohet, por edhe koha në ujë është shumë e gjatë. Ndoshta janë 40 me 60%. Kemi kaluar lundrime me javë të tëra pa u kthyer në shtëpi.
-Si përballohen kaq shumë javë me ushqime në anije?
Nuk është problem. Anija ka atë që quhet autonomia e lundrimit dhe njëkohësisht furnizohet në çdo pikë ku mundet.
-Piratët e detit, një fjalë që e dëgjojmë gjithnjë e më rallë në kohët moderne. Duket se nuk janë më diçka e zakonshme. Janë hasur ndonjëherë piratë në ujërat tona? Flasim për kohë të reja
Megjithëse ne kufijtë i kishim tepër hermetikë, deti ka edhe atë që quhet parrokshmërnë e tij. Deti është i pakapshëm, nuk ka klon, nuk ka element dhe ka pasur plot raste të shkeljes së ujërave territoriale të cilat bëheshin objekt verifikimi dhe kapjeje, por më shumë kanë qenë elementë kontrabandistë, që donin të shmangeshin nga detyrimet sesa anije ushtarake. Por nuk është fjala për rrëmbyes klasikë. Por ne kemi pasur një mbrojtje hermetike edhe ndaj kontrabandës. Unë kam kontaktuar me mjaft kolegë të huaj dhe ata e kanë njohur faktin, që Shqipëria kishte një mbrojtje shumë hermetike të kufijve. Kjo është paksa e veçantë. Të huajt, jo vetëm që e dinin, por e shihnin me tmerr të futeshe në ujërat territoriale shqiptare.
E dinin se mund të përgjigjeshin me kokë.
-Kjo hapësirë detare, ka qenë më mirë e mbrojtur nga uji apo nga ajri?
Kjo hapësirë ishte e mbrojtur në mënyrë të dyfishtë, por më tepër përgjegjësi për mbrojtjen e ujërave kishte flota detare, mjetet tona. Duhet të rikujtoj se Flota Luftarake Detare Shqiptare, që nga viti 70 e deri në 82, ishte konkurrente në Mesdhe me 42 katrasilurues, me dhjetëra anije të tjera lufte, të cilat për numrin e popullisë dhe hapësirën detare, përbënin një forcë e mirë për mbrojtur kufirin. Pastaj për elementet e tjera, strategjitë e mbrojtjes sonë, është tjetër diskutim.
-Përse deri në 82-shin? Çfarë ndodhi më pas?
Është baza ekonomike ajo që e përcakton se si do ta mbash flotën. Sepse është shumë hamëse. Pas prishjes së marrëdhënieve edhe me Kinën dhe BS, ashtu siç po ndihej kriza e gjithanshme ekonomike në të gjithë vendin, ashtu nisi të ndihej vështirësia edhe në Flotë. Dhe pas proceseve demokratike, kjo lloj flote e humbi funksionin. Shkëlqimin e vet flota e ka pasur në vitet 70 dhe fillimi i 80-s. Këto ishin vitete saj të arta.
-Cili është sot fati i Flotës sonë detare? Si mbahet dhe çfarë strategjish ka për rolin e saj?
Sot jam i ndërgjegjshëm që ajo flotë që kishim, e humbi funksionin e saj strategjik, humbi gjithë vlerat për të cilat u krijua. Sot Shqipëria është anëtare e NATO-s, ajo aspironte që nga viti 92, duke qenë shteti i parë lindor që kërkoi anëtarësim në NATO. Dhe anëtarësimi në NATO kërkon të tjerë elementë, veprime të tjera luftarake, që diskutohen në kuadrin e Aleancës. Por unë mendoj se përderisa ekziston deti dhe derisa ekzistojnë ujërat e brendshme, zona e vazhdimësisë apo zona ekonomike ekskluzive që shkon 30 mijë km katrorë, më shumë se sipërfaqja tokësore, atëherë duhet të kemi edhe elemente të flotës luftarake detare.
-Duhet të kemi elemente apo flotë detare?
Mmmm….kur them elemente, pavarësisht se nuk më kanë lënë mua, duhet parë në kuadrin e NATO-s se çfarë ngarkesash do të përballosh në kuadrin e aleancave luftarake. Gjithsesi, një roje bregdetare e fuqishme, do të ishte mëse e nevojshme.
Ky lajm është publikuar: 23/12/2009