Anila Godo: Bëhem ministre, se e njoh shëndetësinë
Eksperienca e gjatë në shëndetësi, për afro 30 vjet, ka bindur Anila Godon për të pranuar postin e ministres së re të Shëndetësisë. Madje, dje i është komunikuar zyrtarisht nga Kryeministri Sali Berisha posti i ministres së re të Shëndetësisë. Një njohëse e mirë e këtij sektori, Anila Godo mjeke prej 29 vitesh në QSUT, tregon për “standard” arsyet pse nuk mundi të refuzonte propozimin e z.Sali Berisha për të marrë postin e ministres së Shëndetësisë. Anila Godo, vajza e republikanit Sabri Godo, tregon se “si mjeke prej 29 vitesh në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, do të thosha që jam njohëse mjaft e mirë e problemeve që po kalon shëndetësia shqiptare. Në këtë mënyrë, mendoj se do të jem edhe më reale në zgjidhjen e problematikave që e shqetësojnë”, - është shprehur mjekja Anila Godo. Duke u ndalur vetëm tek arsyet që e kanë shtyrë të pranojë këtë post, znj. Godo nuk ka dashur të japë detaje të tjera mbi planet e saj pas marrjes së postit apo mbi reformat e mundshme në sektorin e shëndetësisë. Ajo është shprehur: “Çdo nismë dhe reformë imja në sektorin e shëndetësisë do të zbardhet në kohën e duhur”. Godo pohoi se ka pasur dje një takim me Kryeministrin Sali Berisha dhe është në pritje të dekretimit nga Presidenti i Republikës. Me një karrierë 29-vjeçare në QSUT, me pozicionin e shefes së pavijonit të Hematologjisë në Pediatri, fusha ku është e specializuar, Anila Godo, është mjeke pediatre dhe drejton repartin e Pediatrisë dhe njihet nga kolegët e saj jo vetëm si mjeke e mirë, por edhe një menaxhere shumë e mirë. Pritet të zëvendësojë në postin e ministrit të Shëndetësisë demokristianin Nard Ndoka.