E Shtunë, 31 Tetor 2026

Goditet grupi i heroinës, ja harta e shpërndarjes së drogës

Hetimi, policia ka arrestuar 9 pjesëtarë të grupit

Krenar Dajti, kreu i bandës që siguronte heroinën

Prej disa kohësh kishin arritur t’i shmangeshin policisë, duke vazhduar trafikun e heroinës në çdo zonë periferike të kryeqytetit. Por informacionet e mbledhura në rrugë operative nga agjentët e Antidrogës në Tiranë nga disa klientë të këtij narkotiku, duket se këtë herë nuk kanë rënë në vesh të shurdhër. Hetimet 3-mujore do të kurorëzoheshin në orët e para të mëngjesit të djeshëm, kur nën operacionin e koduar “Bardh e zi”, policia ka rrethuar shtëpitë e të dyshuarve pranë shkollës “Bajram Curri” në kryeqytet. Në pranga janë vënë nëntë persona, mes të cilëve dhe dy femra, ndërsa hetimet kanë nxjerrë në pah se të gjithë vepronin nën drejtimin e Krenar Dajtit, një 30-vjeçar i dënuar edhe më parë për armëmbajtje pa leje. Sipas detajeve të tjera të mësuara një ditë më parë nga policia e Tiranës, ky i fundit ishte personi që siguronte heroinën dhe prej një farë kohe ndante fitimet edhe me bashkëpunëtorët e tjerë të grupit, të cilët nga ana e tyre bënin të mundur shpërndarjen e dozave të drogës në zonën e Xhamllikut, në rrugën “Bajram Curri”, Allias, rrugën “Hoxha Tasim”, varrezat e Tufinës, Varri i Bamit, si dhe Kinostudio. Në këtë pikë, policia tha se Dajti ishte furnizuesi dhe drejtuesi i këtij grupi, duke monitoruar të gjithë tregun e shitjes në të gjitha zonat e Tiranës. Ndërkohë që në cilësinë e provës materiale atyre iu sekuestruan një automjet tip “Volswagen Polo”, i cili shërbente për shpërndarjen e lëndës narkotike, rreth 30 gramë lëndë e dyshuar heroinë, shuma e parave prej 70.000 lekësh të përfituara nga kjo veprimtari, si dhe 6 aparate celulari.

Operacioni

Gjurmimi për mbi tre muaj me radhë të agjentëve të policisë ka dokumentuar tërësisht implikimin e nëntë anëtarëve të një grupi që merreshin me shpërndarjen e heroinës në zonat periferike të kryeqytetit. Me këto të dhëna në duar, strukturat e Hetimit të Krimit të Policisë së Tiranës në bashkëpunim edhe me Njësinë Operacionale, ndërmorën dje operacionin për kapjen e të dyshuarve. Sipas të dhënave, që herët në mëngjes efektivët e Rendit rrethuan të gjithë zonën ku banonin të dyshuarit, në afërsi të shkollës “Bajram Curri”, ndërkohë që ndërhyrja ka qenë e befasishme. Askush nuk ka mundur të bëjë rezistencë, ndërsa policia tha se operacioni u realizua falë zbatimit të metodave speciale të hetimit, duke mundësuar kështu goditjen e një grupi problematik shpërndarjeje, të cilët merreshin me shitjen e lëndës narkotike heroinë në Tiranë.

Hetimi

Xhamlliku, rruga “Bajram Curri”, Allias, rruga “Hoxha Tasim”, varrezat e Tufinës, Varri i Bamit si dhe Kinostudio, këto janë vendet ku nëntë pjesëtarët e bandës, të udhëhequr nga Krenar Dajti, shpërndanin prej kohësh heroinë tek klientela e këtij narkotiku në kryeqytet. Megjithatë, ka mjaftuar veçse një informacion i marrë në rrugë operative nga agjentët e policisë, që për rreth 3 muaj, këta të fundit të mbajnë nën mbikëqyrje personat e dyshuar. Pas dokumentimit të provave, policia bëri të ditur se rrjeti i shitjes së heroinës kryesohej nga 30-vjeçari Dajti, i cili ishte furnizuesi dhe drejtuesi i këtij grupi, duke monitoruar të gjithë tregun e shitjes në të gjitha zonat e Tiranës. Pas kapjes së tij dhe të bashkëpunëtorëve, strukturat e Antidrogës janë duke bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë për sqarimin e mëtejshëm të këtyre shtetasve, implikimin e të tjerë personave të shtrirë në këtë rrjet apo aseteve të përfituara nga kjo veprimtari kriminale. Ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.

Vendet ku shitej heroina

Xhamlliku

Rruga “Bajram Curri”

Allias

Rruga “Hoxha Tasim”

Varrezat e Tufinës

Varri i Bamit

Kinostudio

Anëtarët e grupit

Krenar Dajti, 30 vjeç, “armëmbajtje pa leje”

Bledar Kovaçi, 27 vjeç, i njohur me pseudonimin “Bjondi”

Zamir Gjuzi, 24 vjeç, i njohur me pseudonimin “Zamir Qorri”

Agron Koçi, 33 vjeç, i njohur me pseudonimin “Gjon Rrapi”

Elidon Xhiku, 22 vjeç

Geris Lala, 24 vjeç

Sokol Mhilli, 42 vjeç

Zizja Mehmeti, 25 vjeç

Alma Mehmeti, 20 vjeç, të gjithë nga Tirana

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›