E Diel, 1 Nëntor 2026

"Të kërkojë falje për persekutimet e familjarëve të tij"

19/12/2008  PD-ja hedh poshtë deklaratat e Edi Ramës

Forca më e madhe politike në mazhorancë kërkon që kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama t’u kërkojë të falur gjithë atyre shqiptarëve që u persekutuan nga familjarët e tij gjatë diktaturës komuniste. Zëdhënësi i PD-së Gerti Bogdani ka deklaruar dje në një konferencë për shtyp se kryesocialisti nuk ka shumë merak pavarësinë e organeve të akuzës, por qëllimi i tij është mbrojtja e atyre që tmerruan qytetarët shqiptarë gjatë periudhës më të errët të vendit. “Partia Demokratike i bën thirrje zotit Rama t’u kërkojë të falur më së paku të gjitha familjeve që u pushkatuan, u burgosën apo u varën për bindjet e tyre politike, në aktet finale të të cilave ka firmosur i ati i tij apo të cilët kanë pasur persekutor politik famëkeqin Spiro Koleka. Partia Demokratike i bën thirrje zotit Rama të ketë kurajë e të mos ketë frikë nga hapja e dosjeve, i bën thirrje zotit Rama të shkëputet nga e kaluara, sepse e ka të domosdoshme të bëjë katarsis”, - ka deklaruar zëdhënësi i PS-së. Duke shprehur qëndrimin zyrtarë të PD-së në lidhje me oponencën që kryesocialisti Rama i ka bërë projektligjit të dosjeve, zëdhënësi Bogdani ka theksuar se Rama ka vazhduar vetëm të trillojë. “Edi Rama vazhdoi serialin e tij të akuzave, shpifjeve dhe trillimeve. Partia Demokratike informon shqiptarë se zoti Rama nuk mbron prokurorinë e pavarur apo pavarësinë e saj, por mbron xhelatët e shqiptarëve, që i kanë lidhur me tela me gjemba dhe kanë urdhëruar zvarritjen e tyre publike nga Saranda e gjetiu”, - ka deklaruar Bogdani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›