E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Tragjedia e Gjirokastrës, të ndëshkohen përgjegjësit

19/12/2008  Presidenti kërkon nga qeveria dhe vendorët zgjidhjen e problemit. Debate në Kuvend

Presidenti Bamir Topi i kërkoi dje qeverisë dhe pushtetarëve vendorë në Gjirokastër që të realizojnë sa më shpejt sistemin e familjeve të mbetura pa strehë si rezultat i shembjes së pallatit pak kohë më parë. Përmes zëdhënëses, Topi tha se këto familje kanë të drejtën legjitime për dëmshpërblim dhe për t’u sistemuar në kushte normale. “Presidenti i Republikës po ndjek me një shqetësim të veçantë grevën e urisë së banorëve të pallatit të shembur para disa javësh në Gjirokastër, të cilët janë ngujuar në këtë grevë, pasi prej kaq kohësh nuk po gjejnë zgjidhjen e plotë dhe përfundimtare që u është premtuar për sistemim dhe dëmshpërblim si pasojë e një tragjedie, e cila nuk ndodhi për shkakun e tyre”, - u shpreh zëdhënësja e Topit. Përmes deklaratës, Presidenti inkurajon edhe një herë vazhdimin e punës së institucioneve përkatëse për zbulimin sa më shpejt të përgjegjësve të kësaj tragjedie dhe ndëshkimin e tyre ligjor.

Debatet në Kuvend

Greva e urisë që kanë nisur prej disa ditësh 10 kryefamiljarët e familjeve që banonin në pallatin e shembur, ka hapur një tjetër debat në Kuvend mes pozitës dhe opozitës. Deputeti socialist i Gjirokastrës Vangjush Tavo ka akuzuar Kryeministrin Sali Berisha se ka mashtruar këto familje, pasi ditën e parë të tragjedisë u premtoi atyre dëmshpërblimin 100 %. Sipas ligjvënësit socialist, qeveria duhet të dëmshpërblejë këta banorë në masën që u ka premtuar. Por në përgjigje të deklaratave të Tavos, zëvendëskryeministri Genc Pollo deklaroi se kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama duhej të kishte kërkuar dorëheqjen e kreut të bashkisë Flamur Bime. Pollo tha se kryebashkiaku i Gjirokastrës është përgjegjësi kryesor për këtë tragjedi, ndërsa e ka argumentuar këtë me faktin se ishte KRRT-ja e bashkisë së këtij qyteti që lejoi punimet në zonën pranë pallatit të shembur. Pollo theksoi se qeveria ka miratuar vendimin përkatës, me anë të të cilit janë përcaktuar shumat me të cilat do të dëmshpërblehen familjet e dëmtuara. Sipas Pollos, një ngjarje e tillë nuk duhet të politizohet dhe as të abuzohet politikisht.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›