Të kthyerit në shtëpi kërkojnë shpejtim me llogaritjen e dëmit
Shkodër
Në terren nisin të shfaqen kafshët e ngordhura, bashkë me rrezikun e epidemive
Uji vazhdon të tërhiqet nga Nënshkodra, duke lënë pas varkat në të thatë, si kujtim të ditëve të vështira. Lumenjtë po kthehen pak nga pak në shtretërit e tyre dhe njerëzit po mundin të marrin përsëri nën zotërim territoret, duke përparuar orë pas ore në drejtim të perëndimit.
Fshatrat që ndodhen më afër qytetit si Bërdica, Trushi dhe disa fusha të Dajçit janë çliruar tashmë nga uji dhe njerëzit po kthehen nëpër shtëpi bashkë me bagëtitë e tyre.
Vetëm gjatë ditës së djeshme, uji ka lëshuar rreth njëmijë hektarë tokë, por ende mbeten nën ujë më shumë se tetëmijë hektarë, ku uji vazhdon të regjë të mbjellat dhe muret e shtëpive të përmbytura.
Në fshatrat e Dajçit, Velipojës dhe Mali Jushit duket qartë se përmbytja nuk ka mbaruar. Ngado shihen banesa të zhytura në ujë dhe pula të ngordhura, që tashmë pluskojnë në sipërfaqe. Për më tepër, banorët e painformuar i hedhin në kanalet kulluese shpezët e ngordhur që gjejnë pranë shtëpive. Ata tregojnë për dëmet që po shkakton ende prezenca e ujit dhe për ndotjen ekologjike nga frika e përhapjes së epidemive. Një nga banorët e zonës së fshatit Darargjat në Komunën Dajç, Arben Pashku thotë: “Ne ende i kemi shtëpitë të rrethuara nga uji, madje shtëpia më ka pësuar dëmtime serioze nga qëndrimi në ujë. është në rrezik shembjeje, sepse muret kanë marrë të çara dhe duhet dikush të vijë t’i shohë. Nuk e dimë se kur duan të verifikojnë dëmet. Pastaj kemi pasur shumë dëme në gjënë e gjallë, personalisht më kanë ngordhur dy derra, ndërsa komshiu këtu ka hedhur në ujë 100 pula që i kanë ngordhur gjatë përmbytjes brenda shtëpisë”.
Në zonat e përmbytura tashmë përveç dëmtimit të tokave dhe banesave, një problem serioz mbetet ndotja dhe përhapja e epidemive nga ngordhja e gjësë së gjallë. Për këtë, banorët u bëjnë thirrje drejtuesve vendorë të ndërhyjnë për të normalizuar situatën.
#