Ish-drejtori i minierës kapet për falsifikim dokumentesh
04/03/2009 TIRANE- Përgjatë periudhës kur ka qenë i punësuar me detyrën e likuidatorit në SH. A Minierën e Qymyr Gurit Mushqeta, nuk ka lënë gjë pa bërë për të fituar ca para jashtë pagës së përmuajshme. Ndonëse kishte katër vjet që kujtonte se kjo histori ishte mbyllur, policia ka shkundur harresën e kohës dhe e ka shpënë përpara përgjegjësisë penale. Ylli Shaba, 48 vjeç, banues në Tiranë, nga dje është në burg pasi u kap nga Seksioni Kundër Korrupsionit në Sektorin Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Policisë Tiranë. Arrestimi i të dyshuarit u bë nga policia e kryeqytetit, në bashkëpunim me njësinë Task-Forcë të Prokurorisë së rrethit Tiranë. Për ish-drejtorin e minierës gjykata kishte nxjerrë një fletë-arresti, për shpënien e 48-vjeçarit në dhomat e paraburgimit. Mësohet se Ylli Shaba akuzohet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, “mashtrimit” dhe të “falsifikimit të dokumenteve”. Të gjitha këto akuza janë ngritur në bazë të provave të gjetura gjatë procesit hetimor.