“Të njohim njëri-tjetrin”, TK dhe MTKRS organizojnë Konferencën Teatrore Shqiptare

Pa publik teatri vdes
Të tjera tema dhe probleme të artit skenik në Shqipëri janë diskutuar në ditën e dytë të Konferencës Teatrore Shqiptare, “Të njohim njëri-tjetrin”. Kritika midis teatrit dhe publikut ishte tema kryesore mbi të cilën u lexuan referate të ndryshme ditën e djeshme në ambjente të Teatrit Kombëtar në kryeqytet. Arti skenik në Shqipëri dhe problemet që po kalon dramaturgjia, kritika, regjia dhe aktrimi në vendin tonë ishin pikat kryesore mbi të cilat u diskutua përgjatë dy ditëve në këtë konferencë shkencore, me pjesmarrjen e personaliteteve nga fusha të ndryshme dhe referatet përkatëse të tyre. Konferenca Teatrore Shqiptare është një aktivitet që organizohet nga Teatri Kombëtar në bashkëpunim me Minisrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Prof.Dr. Kudret Velça, kritik dhe studiues i njohur, kritiku i artit Josif Papagjoni, regjisori dhe dramaturgu Mihal Luarasi, dramaturgu Ruzhdi Pulaha, regjisori Mehmet Xhelili, Prof. Dr. Maringlen Spiro etj ishin disa nga të pranishmit në dy ditët e konferences. Ngritja në një fazë më të avancuar dhe shkencore e bashkëpunimit midis aktorëve, regjisorëve, dramaturgëve dhe kritikëve ishte një ndër objetikavat mbi të cilat u diskutua gjatë takimit. Njëkohësisht rëndësi e veçantë iu dha edhe punës që duhet bërë për krijimin e një vizioni të ri të njohjes në mes të profesionistëve të artit skenik në Shqipëri, të artistëve, regjisorëve dhe dramaturgëve të rinj me eksperiencat bashkëkohore. Ndërkaq një pikë tjetër mbi të cilën u diskutua ishte edhe krijimi i premisave dhe standarteve për hapjen e diskutimeve dhe debateve periodike nëpërmjet tryezave të rrubullakta, simpoziumeve, prezantimeve, qoftë midis artistëve shqiptarë, por edhe në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. “Kur trupi i teatrit lëngon, si mund të lumnohet kritika?…spektatori “përton” të vijë në teatër dhe preferon të pijë një gotë birrë diku, apo të vrasë kohën dhe boshin e logove të kafeve pafund, e ç`peshë mund të ketë asiherë kritika?- shprehet kritiku i artit Josif Papagjoni. Më tej ai vijon duke thënë se rëndesia e publikut për teatrin është jetike. Pra në fund të fundit, sipas tij, kritika është reagimi i publikut ndaj një vepre a një shfaqjeje. Pa këtë reagim dhe prani teatri vdes. “Teatri është një qënie dy-krerëshe: skenë-sallë. Dhe krejt ndryshe nga gjithë artet e tjerë, publiku në teatër është gjithë pjesmarrës virtual në procesin krijues që zhvillohet lart në skenë- vijon Papagjoni. Ai vazhdon duke thënë se ne kemi nevojë që të konsumojmë tekste të testuara tashmë, në vend të atyre që gjurmojmë në internet… dhe sipas tij kritika mund të bëjë diçka në përzgjedhjen e repertorit, nëse ajo ftohet në këtë diskutim. “Kritika përpos inteligjencës së saj lipset të përfitojë nga inteligjenca kritike e publikut, që bën gati në mënyrë instiktive përzgjedhjen edhe vlerësimin”- tregon Papagjoni. Në fund të fjalës së tij ai theksoi edhe mungesën e institucionalizmit në kritikë. Ndërkohë që, edhe një ditë më parë nga të pranshimit u fol përsëri për rolin që kritika ka në zhvillimin e teatrit. “Në zhvillimin e teatrit një rol të rëndësishëm luan edhe kritika teatrore. Në vendin tonë teatri u zhvillua shumë vonë dhe kërkonte kohë që të arrinte teatrin evropian. Edhe pse i prapambetur në krahasim me këto vende, po të studiojmë me kujdes historinë e teatrit shqiptar vëmë re se në të dy qytetet që merreshim me teatër, Shkodër dhe Korçë nuk mungonte kritika teatrore, pavarësisht nivelit të saj. Në vitet 30 kur u zhvillua letërsia dhe arti u zhvillua njëkohësisht edhe një kritikë lertaro-artistike, në disa raste e nivelit evropian, veçanërisht përsa i përket letërsisë. Megjithatë edhe në Shqipëri ndihej nevoja e një kritike letrare-artistike dhe midis tyre edhe e kritikës teatrore”- është shprehur në ditën e parë të konferencës, që në fillim të fjalës së tij Prof. Dr. Kudret Velça. Në kumtesën që ai paraqiti më së shumti e përqëndroi fjalën në kritikën teatrore. Në fund ai hodhi mendimin që Teatri Kombëtar së bashku me Akademinë e Arteve të organizojnë përgatitjen e kritikëve të rinj të teatrit, duke organizuar kurse një ose dy vjeçare me studentë që mbarojnë për aktorë e regjisorë. Të gjitha këto sipas të gjithë diskutuesve do të ndihmonin së tepërmi në përparimin e teatrit tonë.
...